SPAK ka njoftuar zyrtarisht marrjen si të pandehur të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Ilir Meta. Sipas një dokumenti të datës 26 maj 2025, siguruar nga gazetari i MCN TV Arsen Rusta, ndaj Metës rëndojnë akuza për:
- Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhur vendorë
- Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
- Refuzim për deklarim, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë
- Falsifikim dokumentesh dhe formularësh zyrtarë
Procedimi penal Nr. 125/2022 është bashkuar me dosjet Nr. 122/2022 dhe Nr. 55/2019 dhe përfshin hetime mbi kontrata lobimi në SHBA, të lidhura me kompani të dyshimta si “McKEON Group” dhe “G.S.I.S.”. Sipas kallëzimeve, Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dyshohet të kenë përdorur fonde të padeklaruara për shërbime mjekësore dhe estetike luksoze jashtë vendit, të padeklaruara në ILDKPI.
SPAK bazohet në një sërë provash si letërporosia nga SHBA, kallëzimi i Halit Valterit dhe vetë kontratat e siguruara gjatë hetimit. Provat konsiderohen të vlefshme dhe janë të certifikuara përmes veprimeve procedurale të njohura nga ligji.
Aktualisht, nuk ka pasuri të sekuestruara ndaj Metës, por janë vendosur sekuestro ndaj pasurive të zonjës Kryemadhi. Procesi fokusohet kryesisht në gjurmimin e skemave të pastrimit të parave dhe burimeve të dyshuara të financimit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me MCN Live, gazetari Arsen Rusta deklaroi se gjyqi ndaj Metës pritet të jetë i gjatë, me një listë të gjatë dëshmitarësh. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim minimal prej 7 vitesh burg për bashkimin e katër veprave penale.
Meta dhe avokati i tij pritet të kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar se ai nuk ka mundësi të ndikojë në provat e çështjes.
Ky është një nga rastet më të rëndësishme që SPAK ka ndërmarrë kundër një figure të nivelit të lartë politik në Shqipëri. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











