Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar proces tjetër për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se një grup personash, përmes veprimeve aktive u kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare disa shtetasve në Qarkun Kukës, duke i kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik, pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
“Në datën 10.05.2025, në orën 22:00, gjatë një operacioni të SPAK dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Kalosh Peposhi. Këtij shtetasi iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumat monetare; 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim është shpallur shtetasi Gazment Peposhi me detyrë kryeplak i fshatit Lusen, Kukës dhe po punohet për kapjen e tij.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit G.P. dhe K.P. janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në njësinë administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik, Partia Social Demokrate (PSD), subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për Kuvendin 2025, duke kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












