Berisha sfidon Ramën: Dalim në debat publik. Mosha ime garanci për përvojën

Shares

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha sfidoi publikisht kryeministrin Edi Rama për një ballafaqim të hapur, në çdo studio apo shesh publik që ai dëshiron, duke thënë se shqiptarët do të gjykojnë se “kush ka shenja të rrjedhjes”.

“Unë e konsideroj moshën si avantazh, sepse nuk kam ambicie për pasuri apo pushtet personal. Kam vetëm një qëllim: t’i rikthej qytetarëve dinjitetin dhe të ardhmen që meritojnë,” – tha Berisha.

Duke u ndalur në programin e tij, ish-kryeministri nënvizoi se eksperienca e gjatë qeverisëse i jep atij mundësinë që të realizojë objektivat me saktësi dhe shpejtësi. Ai përmendi konkretisht planin për vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh dhe shtoi se ka një historik të provuar në rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Në kontrast me qeverisjen aktuale, Berisha theksoi se gjatë mandatit të tij janë ndërtuar qindra kilometra autostrada me buxhet shtetëror, ndërsa qeveria Rama nuk ka ndërtuar “asnjë kilometër të vetëm autostradë”.

“Në 8 vite ndërtuam autostrada 27 metra të gjera, ndërsa ata sot nuk kanë përfunduar as bajpasin e Fierit, një projekt që e gjetën gati,” – deklaroi ai.

Duke komentuar mbi liderët e rinj në skenën politike, Berisha tha se historia ka treguar se Shqipëria është dëmtuar më shumë nga ata që kanë ardhur në pushtet pa eksperiencë.

“Enver Hoxha dhe Edi Rama ishin të rinj kur morën pushtetin, por dëmi që i kanë bërë këtij vendi është i pallogaritshëm. Rinia pa përvojë sjell anarki dhe klientelizëm,” – përfundoi ai, duke iu referuar edhe rasteve kur kandidatët për deputetë vijnë nga rrethe familjare.

Berisha tha se nuk e paraqet moshën si privilegj, por si një domosdoshmëri në këtë fazë për të udhëhequr një transformim të shpejtë dhe të përgjegjshëm të vendit. Ai premtoi se 100 ditët e para të qeverisjes së tij do të jenë ditët e transformimit të Shqipërisë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...