Belind Këlliçi komenton përgjimet: “Mazhoranca po kryen puç kushtetues për të kapur Gjykatën Kushtetuese”

Shares

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, komentoi sot bisedat e zbardhura mes ish-kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, dhe deputetes socialiste Klotilda Bushka, të cilat sipas tij, dëshmojnë një plan të mirëorganizuar për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca.

Bisedat janë publikuar në një tv, ndërsa ende nuk ka të dhëna të qarta lidhur me burimin.

Sipas Këlliçit, këto biseda tregojnë qartë se mazhoranca socialiste po ndërmerr hapa për të emëruar në Gjykatën Kushtetuese individë të lidhur me strukturat e vetingut, të cilët kanë vepruar në interes të Partisë Socialiste, duke spastruar sistemin nga gjyqtarë dhe prokurorë me integritet dhe duke favorizuar eksponentë të afërt me pushtetin.

“Kjo është prova e parë e një puçi kushtetues,” – deklaroi Këlliçi, duke theksuar se në këtë skemë janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, si Sokol Sadushi i Gjykatës së Lartë dhe vetë Presidenti Bajram Begaj, i cili sipas tij, në vend që të garantonte Kushtetutën, është bërë palë me grupin që kërkon ta shkelë atë.

Një skemë për të kapur Gjykatën Kushtetuese

Sipas Këlliçit, skema përfshin një grup të strukturuar brenda Partisë Socialiste, të lidhur me kryebashkiakun e arrestuar për korrupsion Erion Veliaj, i njohur si “klani 5D”. Ai thekson se ky grup po përpiqet të krijojë tre vakanca në Gjykatën Kushtetuese për të sistemuar individë të lidhur me pushtetin.

Në këtë proces, një përplasje e fortë ka ndodhur edhe mes Klotilda Bushkës dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila në shtator 2024 shpalli garën për të zëvendësuar gjyqtaren Elsa Toska, e cila dha dorëheqjen pavarësisht se kishte një mandat të plotë 9-vjeçar. “Bushka dhe grupi i saj brenda Partisë Socialiste tentuan të bllokojnë procedurën e nisur nga Spiropali,” – tha Këlliçi, duke argumentuar se justifikimi kushtetues për ripërtëritjen tre-vjeçare të gjyqtarëve është një mashtrim që maskon një synim tjetër: ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, e cila duhet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028.

“Presidenti Begaj është bërë pjesë e këtij skenari,” – akuzoi Këlliçi, duke iu referuar kërkesës së kreut të shtetit drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar afatin e gjyqtarëve. Ai e cilësoi këtë kërkesë një akt turpi juridik, i cili synon të largojë Bejtjan nga detyra dhe të krijojë një tjetër vakancë për emërime të dirigjuara nga mazhoranca.

PD: Autorët e këtij puçi do të përfundojnë në SPAK

Këlliçi e cilësoi këtë një atentat ndaj Kushtetutës, duke paralajmëruar se të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë skemë, përfshirë Presidentin Begaj, Klotilda Bushkën dhe grupin e saj, do të mbajnë përgjegjësi penale.

“Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj maskarade antikushtetuese do të përballen me drejtësinë. SPAK nuk mund të heshtë përballë një tentative kaq të hapur për kapjen e Gjykatës Kushtetuese,” – u shpreh ai.

Sipas tij, edhe gjyqtarët kushtetues që do të pranojnë të bëhen pjesë e kësaj skeme do të mbajnë përgjegjësi, pasi çdo veprim i tyre në kundërshtim me Kushtetutën do të ketë pasoja ligjore. “Ky është një plan i Erion Veliajt dhe sektit të tij brenda PS-së për të rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese, por nuk do të lejohet,” – tha Këlliçi, duke paralajmëruar se Partia Demokratike do të ndjekë çdo hap të kësaj afere dhe do të kërkojë përgjegjësi ligjore për të gjithë të përfshirët. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...