Policia, kontroll në shtëpinë e Arben Isufaj (Ben Qimja)
Policia dhe Prokuroria e Fierit po vijojnë hetimet intensive për rastin e kanosjes së gjyqtarit Vladimir Cjapi, të Gjykatës së Fierit, nga një personazh i njohur në Fier Arben Isufaj, njohur ndryshe si Ben Qimja.
Ngjarja është kallëzuar nga gjyqtari në Prokurorinë e Fierit më 17 shkurt 2025, ndërsa autori kryesor i dyshuar, shtetasi Arben Isufaj, 55 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, është shpallur në kërkim.
“Në kuadër të hetimeve, më 19 shkurt 2025, Policia e Fierit dhe forcat speciale “RENEA” kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në disa banesa, ambiente dhe automjete në pronësi të 55-vjeçarit. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova të rëndësishme për hetimin, përfshirë një armë zjarri pistoletë, një palë targa të huaja, një jelek multifunksional i ngjashëm me atë të Policisë, dy pajisje DVR, gjashtë celularë dhe dokumente zyrtare.
Po ashtu, janë shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë lidhje me shtetasin në kërkim. Policia po vijon operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e A. I., i cili akuzohet për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, njoftoi policia e Fierit. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












