U nda nga jeta diplomati dhe analisti i shquar shqiptar i çështjeve ndërkombëtare , Shaban Murati.
Ai u nda nga jeta sot në mëngjes më moshën 79-vjeçare.
Murati, me një përvojë të gjatë në gazetari dhe diplomaci ishte zëri më i spikatur në publicistikën shqiptare në lidhje me çështjet diplomatike e të politikës së jashtme të vendit vecanërisht në lidhje me vendet e lindjes dhe rajonin e Ballkanit.
Mendimet dhe analiza e tij ishin të pakontestueshme ndërsa kapte edhe nuancat më të fshehura të cdo lloj mesazhi apo veprimi diplomatik. Përvoja e tij ishte e çmuar për diplomatët shqiptarë por edhe median që merrej me çështje të diplomacisë.
Shaban Murati do ti mungojë prej sot diplomacisë dhe medias shqiptare duke lënë një boshllëk në pjesën më serioze e të pjekur të mendimit dhe analizës.
Ai ishte edhe autor i disa publikimeve, kërkimeve dhe librave në fushën e analizës diplomatike mbi 15 të tilla duke lënë një fond të rëndësishëm në arkivin e analizës së politikës së jashtme.
Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.
Për humbjen e Shaban Muratit ka reaguar edhe Presidenti Bajram Begaj.
“Me dhembje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, diplomatit, historianit politik, njohësit të shkëlqyer të gjeopolitikës rajonale, mikut tim, Shaban Murati.
Çdo bisedë që zhvillova me të, çdo këshillë që më jepte, ishte e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vyer.
Shaban Murati, burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë dhe gjithmonë me vete, do të mbetet mes nesh si veprimtari i përhershëm që foli, shkroi dhe ndau dijen për të na orientuar në anën e të mirës dhe të drejtës në histori.
Shaban Murati iku i bekuar duke lënë pas, veç tre bijve, pasardhës të denjë të tij, edhe vepra të rralla për ne!
Shpirti t’u prehtë në paqe, i miri Shaban Murati!”, shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e tij. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












