ARTAN FUGA/ Mos keqpërdorni rininë si mish për top elektoral!

Shares

Një profesor është gati si një prift në kuptimin që studentët, rinia, kur krijojnë besim, i hapen duke i rrëfyer historitë e tyre, në detyra, ese, dialog verbal, etj.
Kush nuk i dëgjon nuk është pedagog, por thjesht një horr horri, një maskara!
Tregimi i parë: Kur isha maturante, profesor, jo tani që jam studente, në sallën ku bëhej provimi i maturës në matematikë, hyri një kopje, por ajo qarkullonte vetëm për ata maturantë që ishin të së njëjtës parti që ishte edhe drejtori i shkollës. Ne e shihnim, por nuk kishim se çfarë të bënim, ku ta denonconim, me çfarë pasojash!
Tregimi i dytë: Kur isha në shkollë të mesme, profesor, erdhën të dërguar nga forume rinore partish dhe na premtonin që po të futeshim në to, do të na jepeshin bursa falas në një ose dy universitete private. E kupton vetë ti! Mjafton që ne të aktivizoheshim në fushata elektorale, në mitingje, etj!
Tregimi i tretë: Studentë në masë shkojnë në forume rinie partish të ndryshme, profesor, mos kujto për ndonjë ideal, jo, fare, por sepse e dinë që vetëm marrja e një tesere partie, jep mundësi për karrierë, punësim, dhe kështu me radhë. Të tjerëve ju rroftë diploma dhe notat e mira!
Tregimi i katërt: Profesor, pa qenë anëtar partie ose anëtar i organizatave rinore, nuk mund të punësohesh as në pushtetin lokal, pra në bashki të ndryshme. Nëse është e një partie në opozitë, ata të rinj punësohen, kurse po qe se është e partisë që ka kryetarin e bashkisë, atje punësohen ata të rinj që i shërbejnë karrierës politike të kryetarit, ose bashkitë e partisë përkatëse, këta të rinj bashkitë ndodh që ua huazojnë kryetarëve të partive të tyre për t’i përdorur në mitingje e fushata.
Në një pjesë të madhe forca elektorale e partive në kryeqytet varet nga përplasja e kontingjenteve të bashkisë së Tiranës me atë të Kamzës, profesor!
Mos kujto, profesor se të rinjve u hëngri barku për politikë, jo, por antarësimi në parti dhe në organizata rinore partiake është bërë si trampolinë për një vend pune.
Nuk kam prova të drejtpërdrejta për t’i besuar ose mosbesuar sa më sipër!
Unë nuk jam as agjent sekret të merrem me hulumtime!
Por, po qe se këto ndodhin, atëherë pa një pa dy
Ky është korrupsion elektoral!
Ky është korrupsion i atyre universiteteve private që pasi japin gjoja bursa falas për militantë, këta militantë pastaj zënë vende pune në administratë shtetrore ose publike dhe universitetet në fjalë krenohen pastaj se kanë cilësi meqë studentë të tyre gjejnë vende pune. Si edhe marrin beneficet nga pushteti i radhës!
Është një sistem i tërë korrupsion profesor!
Ja këto gjeta një herë të shkruara nëpër ese dhe detyra studentore në lëndë sociale!
Dhe ne kërkojmë që të rinjtë të motivohen për të studiuar!
Nuk e di nëse ishin fiksion apo realitete.
Nuk desha t’i besoja! Ende nuk iu besoj syve!
Jooooo! – bërtas natën në gjumë, nuk mund të jenë të vërteta!
Një korrupsion i tërë elektoral dhe social në shkëmbim të vendeve të punës.
Më duhen anketime dhe kontroll evidencash konkursesh për ta provuar, tani për tani, thjesht po ndaj ato që kam lexuar ndër vite!
Pa i u besuar syve!
Kuptohemi!
Të gjitha m’u kujtuan kur pashë në televizor takimin e fundit zytaro-elektoral te pallati i kongreseve, me mësuesit e thirrur me përdhunë administrative !
Tamam kongres nga ato për të cilët ai pallat është ndërtuar. Mu në të njëjtën ndërtesë me atë të Bashkimit Europian që sigurisht duke qenë e shtunë nuk i ka dëgjuar as thirrjet as ofshamat!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...