Një dosje e hapur për drejtorin e Përgjigjëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, për skandalin e përgjimeve, me sa duket nuk do të përbëjë pengesë për atë, që nesër, kur të mos gëzojë “privilegjin” e “kryepolicit”, do të gëzojë të tjera privilegje si “ish-kryepolic”.
Për këtë ka menduar dhe vendosur sot në mbledhjen e radhës, këshilli i Ministrave, i cili miratoi një vendim për trajtim të veçantë të Drejtorit të Policisë së Shtetit, kur ky të ketë përfunduar mandatin.
Sipas vendimit të publikuar në faqen on-line të qeverisë, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit përfiton ruajtjen e afërt fizike, me shoqërues personal, për 2 vjet.
Vendimi për këto privilegje është marrë me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme.
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN E VEÇANTË TË DREJTORIT TË POLICISË SË SHTETIT PAS PËRFUNDIMIT TË MANDATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 15, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Drejtori i Policisë së Shtetit, pas përfundimit të mandatit, gëzon trajtim të veçantë për:
Ruajtje të afërt fizike
1.1. Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit përfiton ruajtjen e afërt fizike, me shoqërues personal, për 2 vjet.
1.2. Shoqëruesi, që merret me ruajtjen e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, është punonjës i strukturave policore për mbrojtjen dhe sigurimin e personave me cilësi të veçanta.
1.3. Policia e Shtetit merr përsipër caktimin e automjetit, të limitit të furnizimit me karburant dhe riparimin e saj.
1.4. Kur paraqiten rrethana që rrezikojnë jetën e tij dhe të familjes, i sigurohen pjesëtarët e familjes dhe banesa, për aq kohë sa ekziston ky rrezik.
Trajtim financiar për kurim
Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, në rast sëmundjeje, brenda 2 (dy) viteve pas lirimit nga detyra, përfiton trajtim financiar për kurim në institucionet e kujdesit shëndetësor në vend ose jashtë vendit. Shpenzimet për kurim në masën 100 për qind përballohen nga fondet e Policisë së Shtetit.
Përparësi për emërimin në funksione këshillimore apo funksione pedagogjike.
Drejtori i Policisë, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, në interes të shërbimit të rendit e të sigurisë publike, mund të kryejë funksione të këshilltarit të personave që kryejnë funksione kushtetuese apo funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, sipas pikave 1 dhe 2, planifikohen dhe përballohen nga programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
III. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













