Mbahet ceremonia e vendosjes në krye të Kishës Katolike në Shqipëri të Imzot Arjan Dodaj

Shares

Në Katedralen Katolike në Tiranë po mbahet ceremonia e fillimit të shërbimit baritor të Imzot Arjan Dodaj.

Ati i Shenjtë emëroi Kryeipeshkёv Metropolit tё Tiranё-Durrёs Imzot Arjan Dodaj, FDC, i cili më parë ishte Ipeshkëv titullar i Lestronës dhe Ndihmës i së njëjtës Kryedioqezё.

Njoftimi i emërimit u shpall më 30 nëntor nё Katedralen e Shёn Palit nё Tiranё nga Nunci Apostolik nё Shqipëri, imzot Luigi Bonazzi, nё prani tё kryeipeshkvit tё Tiranё-Durrёsit Imzot George Frendo dhe tё kryeipeshkvit tё ri tё sapoemëruar Imzot Arjan Dodaj, me pjesëmarrjen e klerit e rregulltarëve tё Kishës dioqezane Tiranё-Durrёs.

Imzot George Frendo i kalon sot detyrën e Arqipeshkvit të Kishës Katolike, Imzot Dodaj, ndërsa në fjalën e tij në ceremoni në katedralen ‘Shën Pali’ në Tiranë, ai shprehu besimin se Dodaj do ta kryej më së miri këtë punë.

“Gjithmonë  e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët dhe te ky popull kam gjetur dashuri e respekt më shumë se sa meritoja. Falënderoj popullin shqiptar që u bë edhe populli im. Do largohem nga Shqipëria me keqardhje, por mu duk e drejtë t’i kaloj vitet te fundit të jetës sime në vendlindje. Do mbeteni pjesë e zemrës sime e do ju kujtoj me lutje.

Politika mund të ndryshojë e të përmirësojë strukturat, por besimi mund të arrijë atje ku nuk arrin politika, mund të ndryshojë zemrat. Le të angazhohemi më shumë për një Shqipëri më të drejtë, më të vëllazërore. I drejtohem pasardhësit tim, për më shumë se 4 vite kemi punuar ngushtë bashkë. Emri yt do të përmendet në meshë çdo ditë e kjo do të thotë se nuk do jesh vetëm në zbatimin e detyrës tënde, është një dioqezë me ty.

Je shumë më i ri se unë dhe je shqiptar, që do të thotë se je më i aftë se unë për të kuptuar mentalitetin, psikologjinë e kulturën e këtij vendi. Për këto avantazhe që unë nuk i kisha, le të jenë për t’u një dhuratë që të bën shumë më afër deleve që Zoti do të të dhurojë”, tha ai.

Në ceremoni ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit, duke filluar nga presidenti Ilir Meta, duke vijuar me kryeministrin Rama, i cili u shfaq në ceremoni i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, si dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...