Skandal i Parlamentit, ndryshohen 10 ligje të reformës në drejtësi në shkelje të Kushtetutës

Shares

Skandal tjetër i parlamentit gjysmak në seancën e parafundit të tij duke miratuar 10 projektligje të lidhura me paketën e Reformës në Drejtësi.

Ligjet e miratuara janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më datë 25 shkurt 2021, dhe diskutimi e më pas miratimi i tyre në Komisionin e Çështjeve Ligjore ka ndodhur në datat 18 dhe 19 mars 2021, brenda një harku kohor 3 javor. Ato gjenerojnë 154 ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Civile, ligjet organike të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë, ligjet për organizimin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të reja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komiteti shqiptar i Helsinkit dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, duke patur në konsideratë rëndësinë e veçantë që ka kjo paketë ligjore në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe rrjedhimisht tek qytetarët, kanë shprehur sot indinjatën për mungesën e transparencës dhe konsultimit gjithëpërfshirës në hartimin e saj.

“Teksa vlerësojmë faktin se disa prej institucioneve të sistemit të drejtësisë janë përfshirë në këtë proces konsultimi si dhe Misionet e Asistencës Ndërkombëtare, tërheq vëmendjen selektiviteti i këtij konsultimi, duke lënë jashtë procesit, organe të tjera të sistemit të drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, përfaqësues të trupës pedagogjike, shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatë si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile me përvojë në këtë fushë.
Gjithashtu, një tjetër element shqetësues, është që paketa e ligjeve janë shqyrtuar dhe miratuar me shpejtësi në cenim të Rregullores se Kuvendit, nga Komisioni i Ligjeve, në mbledhjet e datës 18 dhe 19 mars, në një kohë kur ato nuk figurojnë në programin e punës së Kuvendit për periudhën 1-26 mars 2021. Gjithashtu, miratimi i këtyre ligjeve vjen në kundërshtim me nenin 83, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila ndalon shprehimisht zbatimin e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (sjellim në vëmendje se 9 nga 10 projekt-ligje duhet të miratohen me këtë shumicë parlamentare)”, thuhet në deklaratën e shoqërisë civile inicuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkut. m.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...