Operatori ajror me kosto të ulët Wizz Air, ka njoftuar se nga 19 dhjetori do të nisë fluturimet nga Tirana drejt Vjenës, krahas pesë destinacioneve të tjera të reja drejt kryeqytetit austriak, ndër të cilat nga Prishtina, Athina, Londra.
Flurutimet nga Tirana në Vjenë dhe anasjelltas do të jenë tre herë në javë, të martën, të enjten dhe të shtunën.
Wizz Air po “thyen” në këtë mënyrë monopolin që kishte nga Tirana në Vjenë, kompania ajrore Austrian Airlines.


Një biletë vajtje-ardhje me Austrian Airlines, për datat 19 dhe 24 dhjetor, kushton 228 euro.
Për një udhëtim vajtje-ardhje në janar, në datat 4 dhe 7, bileta kushton 110 euro me Wizz Air, ndërsa me Austrian Airlines, në të njëjtat data kushton 253 euro.
Në ditë të caktuara mund të gjesh vetëm vajtje, ose vetëm ardhje, bileta që kushtojnë 20 euro me Wizz Air.
Në përgjithësi Wizz Air ofron bileta 55-65% më të lira se Austrian Airlines, ndonëse kjo e fundit ka avantazhin që fluturon dy herë në ditë, në gjithë ditët e javës dhe shërben si tranzit për vendet e Europës dhe të SHBA-ve. Sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport, Austrian Airlines kishte 5% të tregut të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve në vitin 2018. Gjithsesi, hyrja e një konkurrenti në këtë linjë pritet të ushtrojë presion dhe mbi çmimet e biletave të Austrian Airlines.
Operatori hungarez me kosto të ulët Wizz Air hyri në Shqipëri rreth tre vjet më parë përmes linjës Tiranë-Budapest. Wizz i ka shtuar gradualisht destinacionet nga Tirana dhe së fundmi njoftoi se do të niste fluturimet drejt Milanos në nëntor, me çmime rreth 45 euro në një drejtim.
Destinacionet e tjera të Wizz Air nga Tirana janë Dortmund, Mynihu, Londra.
Dy vitet e fundit, biletat e avionëve nga Rinasi kanë shënuar rënie, sidomos drejt qyteteve italiane, ku konkurrenca është e shtuar, pasi veprojnë tre operatorë, All Italia, Fly Ernest dhe Blue panorama-Alba Wings. Përveçse gjatë gushtit ku biletat kërcejnë dhe në 300 euro në një drejtim, në periudha sezoni të ulët mund të gjesh një biletë vajtje-ardhje në Romë, Milano apo Bolonjë me 100-120 euro, apo dhe më lirë nëse e pret më herët.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












