Pasi ka lexuar nj artikull ku një biznesmen nga Vlora deklaronte që do të braktisë Shqipërinë bashkë me familjen e tij sepse, sipas tij, jeta i është bërë ferr në qytetin e lindjes, biznesmeni i njohur në Tiranë, pronar i rrjeteve të restoranteve Era, Altin Bamllari ka deklarua se ka ndërmend edhe ai të bëjë dicka.
Lexoni një pjesë të komentit të tij në lidhje me hallin që i zë njerëzit në këtë vend, edhe kur janë me lekë dhe nuk kanë një derë ku të trakasin.
Vetë Bamllari është bërë pre e dhunës fizike dhe më pas edhe linçimit publik nga policia dhe ministria e Brendshme kur për një gabim në trafik pa asnjë pasojë i biri dhe ai u kthyen në subjekt të të gjithë policisë së Tiranës.
“Ky njeri ka ngecur në rrjetën e poshtërsive të këtij vendi dhe përpëlitet i dorëzuar. Një rrjetë që e kemi thurrur të gjithë, kush më shumë e kush më pak, pa e ditur që një ditë do të jemi viktima të saj.
Sepse ishim ne që rendëm të pasurohemi dhe o burra, të gjithë me të katra në baltën e paligjshmërisë. Sa më shumë llucë, aq më shumë fitime. Të paktë ishin të ndershmit (apo të pazotët, siç quhen) që shpresuan apo u përpoqën që shteti të ndërtonte rrugët e ligjit, por ata ngelën të vetmuar në atë pak asfalt të hedhur. Të tjerët morën udhët e botës zhgënjyer ose u ndotën nga stërkalat e kësaj baltovine, ku askush s’e ndali vrapin.
Ferrin e ndërtuam vetë, po ashtu edhe djajtë.
Prandaj unë e kuptoj biznesmenin nga Vlora dhe ia lexoj frikën, pasigurinë, urrejtjen dhe në fund hakmarrjen për ta braktisur këtë vend.
Fundja ç’mund të presësh nga ky vend?!
Ku shteti të shkatërron jetën me një zile telefoni.
Ku gjyqtari kërcet çekanin si sopatë xhelati.
Ku media fishkëllen melodi interesash.
Ku shoqëria civile luan muzikë nëpër salla boshe.
Ku elita ka lindur e vdekur.
Ku miqtë, në vend të të inkurajojnë, të këshillojnë ta qepësh gojën.
Ku mileti shtrëngon rrypin nga sabahu në aksham.
Ku s’mund të rilindësh sepse kjo fjalë mban, tashmë, damkën e turpit.
Vërtet.., çmund të bësh më në këtë vend?!
Dje, kur po intervistoja një vajzë të re, kandidate për një post pune të rëndësishëm, qëllimisht e pyeta: Ke menduar ndonjëherë të ikësh nga Shqipëria?
Dhe përgjigja e saj ishte: Ditë për ditë.
Në fakt, kam kohë që e mendoj edhe unë”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












