6 vjet më parë 50 të rinj dhe të reja sëbashkë me Ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha, ishin shqiptarët e parë që udhëtuan për herë të parë pa viza drejt Brukselit.
Vetëm me pasaporta e tyre biometrike në duar ata bënë check-in në aeroportin e Rinasit pa patur nevojë për asnjë lloj vize dhe me një avion të linjës Tiranë-Bruksel udhëtuan drejt kryeqendrës së BE-së. Pas një udhëtimi prej gati 2 orësh, avioni i kompanisë Belle Air zbriti në aeroportin e Brukselit. Ishte ftohtë, shumë ftohtë në Bruksel por jo më shumë për motin sesa për simbolikën. Ajo ditë do të mbetet e paharrueshme për 50 të rinj shqiptarë dhe Lulzim Bashën që i printe për të prekur vetë nga afër magjinë e lëvizjes së lirë.
Sot 6 vjet më pas në një postim në Facebook, Basha e kujton kështu atë ditë “Këtë ditë, 6 vjet më parë Bashkimi Europian hoqi vizat me Shqipërinë. Mbas pluralizmit politik dhe liberalizimit të tregtisë, kjo është arritja që ka përmirësuar më shumë jetët e njerëzve, këtë çerekshekull. Ndjej ende emocionet e bukura të udhëtimit të parë pa viza në Europë sëbashku me studentë, të nesërmen e heqjes së vizave. Ruaj të gjallë optimizmin dhe lumturinë në sytë e atyre të rinjve: ishte momenti kur ne u ndjemë vërtetë Europianë, jo vetëm në shpirt dhe mendje, por edhe në liri dhe të drejt”.
Por sa i takon historikut të atij udhëtimi, ai vazhdoi edhe më tej. Jo vetëm magjia e lëvizjes së lirë, por 50 të rinjtë shqiptarë vizituan edhe ambjentet e Komisionit Europian ku në çdo takim që patën me zyrtarët e lartë të Brukselit morën garancitë nga ata se Shqipëria, vendi i tyre ishte në rrugë të drejtë për marrjen e statusit kandidat, pavarësisht se vetëm 20 ditë më pas ëndrrat pësuan një thyerje të fortë për shkak të protestave të dhunshme të 21 Janarit 2011.
Pas Brukselit, 50 të rinjtë dhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha udhëtuan edhe drejt Romës, për të prekur akoma më shumë magjinë e lirisë në një vend fqinj që për shkak të vizave për 20 vitet e fundit kishte qenë kaq afër dhe larg. Një vizitë në Farnesina (ndërtesa e Ministrisë së Jashtme të Italisë) ku nën kujdesin e vet ish shefit të diplomacisë italiane Franco Frattini atyre iu dha mundësia të shikonin me sytë e tyre edhe dokumentin orgjinal të themelimit të Bashkimit Europian me firmën origjinale të Robert Shuman që ruhej pikërisht në atë ndërtesë në perfieri të Romës.
Një udhëtim magjik dhe aq shpresdhënës, këtë mund ta garantojnë të 50 të rinjtë që ishin në atë rrugëtim bashkë me gazetarët që i shoqëronin.
Sot 6 vjet më pas, pak ka mbetur nga ajo magji që mund ta ndjeje në ajër. Kjo pasi heqja e vizave që asokohe kishte shijen e dimensionit të lirisë së lëvizjes ,sot përbën shpresën e fundit të lirisë, jo të asaj për të qëndruar, por të asaj për të ikur një orë e më parë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












