Tri ditë pas sulmit me kamion në një treg Krishtlindjeje në Berlin, autoritetet në gjithë Europën po vazhdojnë të kërkojnë për të dyshuarin kryesor, që zyrtarët gjermanë e identifikuan si një tunizian që duhej të ishte dëbuar disa muaj më parë.
Autoritetet thanë të mërkurën se 24 vjeçari Anis Amri, kishte shkuar në Gjermani në korrik 2015, dhe për gjashtë muaj këtë vit kishte qenë nën vëzhgim, pas një informacioni se ai mund të ishte duke u përpjekur të blinte armë për një sulm të mundshëm.
Ai hetim u mbyll në shtator dhe hera e fundit kur agjencitë e kundër terrorizmit shkëmbyen informacion për atë person në nëntor.
Kërkesa e tij për azil u mohua para gjashtë muajsh, por ai nuk u dërgua në Tunizi, për shkak të problemeve me dokumentet.
Këto informacione të reja, kanë ngritur përsëri pikëpyetje lidhur me sistemin e Gjermanisë për të kontrolluar të dhënat për mijëra vetë që kanë hyrë në vend duke kërkuar strehim.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha një ditë pas sulmit se do të ishte një lajm i vështirë nëse vërtetohej se personi përgjegjës ishte një azilkërkues.
“Do të ishte veçanërisht e papranueshme për shumë, shumë gjermanë që punojnë për të ndihmuar refugjatët çdo ditë dhe për ata njerëz që vërtet kanë nevojë për ndihmë dhe po përpiqen të integrohen në vend”, tha ajo.
Policia gjermane u përqendrua tek Amri, pasi gjeti dokumente në kamionin që u përdor për sulmin në tregun e mbushur me njerëz, duke shkaktuar vdekjen e 12 vetëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Zyra e Prokurorit Federal, shpalli një shpërblim prej 104,000 dollarësh për informacione që do të ndihmonin në arrestimin e tij.
Shteti Islamik tha se ishte frymëzuesi i sulmit përmes thirrjes për vënien në shënjestër të personave nga vendet e koalicionit që po luftojnë ndaj tij, në Siri dhe Irak..
Në Tunizi, babai i Amrit tha se i biri kishte shkuar në Europë para shtatë vjetësh dhe se kishte qenë për një periudhë i ndaluar në Itali, para se të shkonte në Gjermani.
Para se Amri të identifikohej si i dyshuari kryesor, policia kishte ndaluar një pakistanez nën dyshimet për përfshirje në sulm, por më pas ai u lirua, pasi u arrit në përfundimin se nuk ishte përgjegjës për të.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












