Deputeti i Libra, Ben Blushi kërkoi sot të ulet numri i deputetëve në parlament duke rritur kështu edhe rrezikun për partinë e tij të re.
Sipas Blushit sa më i vogël numri i deputetëve në Parlamenta aq më pak të paaftë apo banditë do të jenë brenda tij, raporton droni.al.
“Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve aq më pak shpresë kam se parlamenti i ardhshëm do jetë më i pranueshëm se ky që kemi. Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaceve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra. Dikush me shaka më ka thënë se të gjithe deputetët bashkë kanë më shumë makina se libra. Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për te penguar ujqit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë”, deklaroi ai.
Propozimi i Blushit nëse realizohet con në rritjen e numrit të votave që duhet të sigurojnë partitë e vogla për të marrë një deputet. Brenda proporcionalit rajonal i bie që një parti e vogël jashtë koalicioneve të marrë më shumë se 18 mijë vota për të siguruar të paktën një deputet, ndërsa brenda koalicionit kufiri është më i ulët megjithatë shanset mbeten të vogla.
Vetë Blushi mund të jetë viktimë e propozimit të tij nëse nuk futet në një koalicion të madh, komenton Droni.al.
Por Parlamenti me 100 deputetë zbret edhe peshën e LSI në Kuvend e rrjedhimisht edhe në qeveri. Si parti e tretë ajo mund të humbasë në përqindje më shumë deputetë se dy partitë e mëdha duke forcuar ndërkaq peshën e PS dhe PD, pavarësisht krijimit të partive të reja në vitet e fundit si Sfida, Libra, AK, PDIU.
Ulja e numrit të deputetëve forcon në hije një komponente mazhoritare të përzgjedhjes pasi ul turmën e deputetëve duke u mbështetur më shumë tek emrat e kandidatëve dhe kapacitetet e tyre.
Dy partitë e mëdha të cilat edhe vendosin për kodin zgjedhor nuk kanë ndonjë humbje nëse pranojnë këtë propozim./Droni.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












