Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe 4 anëtarët e tjerë të Këshillit të Mandateve dënuan ashpër shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohej kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë publike, Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një akt të paprecedentë, duke mos caktuar datë për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.
Sipas Bardhit, ky veprim synon të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e qeverisë, ndërsa opozita ka kërkuar me insistim mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për t’i hapur rrugë votimit në seancë plenare.
Ai bëri me dije se SPAK ka informuar Kuvendin se çdo ditë që Balluku qëndron e lirë rrezikon hetimet, përmes prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.
Bardhi theksoi se kërkesa e prokurorisë mbështetet në rreth 80 prova të ndara në disa volume me mijëra faqe, të cilat, sipas tij, provojnë qartë se nuk bëhet fjalë për një akuzë politike.
Sipas PD-së, Balluku është e pandehur për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 10 procedura të tjera, përfshirë lotët e Unazës së Tiranës, koncesionin Thumanë–Kashar dhe tenderë për mirëmbajtje rrugësh, me një vlerë totale mbi 1 miliardë euro.
Bardhi deklaroi se ky është rasti i parë kur një zyrtar i lartë i akuzuar për korrupsion në 11 procedura prokurimi mbrohet përmes zvarritjes së qëllimshme të procedurave parlamentare.
Ai akuzoi mazhorancën se gjatë mbledhjes u shndërrua në “avokate” të Ballukut, duke kërkuar shtyrje të pajustifikuara, ndërsa opozita dhe prokurorët ishin të vetmit që mbronin interesin publik.
Në përfundim, Bardhi i bëri thirrje Edi Ramës të ndalë, sipas tij, përpjekjet për të marrë peng drejtësinë dhe kryetarit të Kuvendit të zbatojë ligjin, duke thirrur menjëherë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për t’i hapur rrugë vendimmarrjes për arrestimin e Belinda Ballukut.
DEKLARATA E GAZMENT BARDHIT/
Të dashur bashkëqytetarë, së bashku me kolegët, anëtarë të Këshillit të Mandateve, duam përmes këtij komunikimi publik të dënojmë me forcë aktin e paprecedent që kryetari i kuvendit, me urdhër politik të Edi Ramës, bëri gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, gjatë shqyrtimit të kërkesës për t’i dhënë Prokurorisë së Posaçme autorizimin për të kërkuar në gjykatë arrestimin e zëvendëskryeministres, ministres së infrastrukturës dhe deputetes Belinda Balluku.
Si në asnjë rast tjetër, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa caktuar një afat se kur ky këshill do të marrë në shqyrtim dhe do t’i hapë rrugë miratimit nga seanca plenare të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e zëvendëskryeministres.
Ky është një akt politik i urdhëruar nga Edi Rama për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e tij, të zëvendëskryeministres dhe të qeverisë së tij. Si anëtarë të Këshillit të Mandateve, përfaqësues të opozitës, kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë mbledhjen një orë më parë të Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e prokurorisë.
Bashkëndajmë shqetësimin që prokurorët e posaçëm informuan dje në kuvend se çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton cenim të hetimeve, prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve.
Për herë të parë do të dua t’i informojmë opinionin publik se kërkesa e prokurorisë, përveçse është argumentuar ligjërisht, mbështetet nga një numër i konsiderueshëm provash, rreth 80 prova të ndarë në disa volume, në mijëra faqe, që provojnë atë që në fakt është e vetmja detyrë që ka kuvendi, të kontrollojë nëse është apo jo një akuzë politike dhe kërkesa e prokurorisë provon përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se kërkesa është e mbështetur ligjërisht dhe nuk ka asnjë të dhënë për akuzë politike.
Siç jeni në dijeni, prokuroria e posaçme ka marrë të pandehur zonjën Balluku për tenderin e tunelit të Llogarasë. E ka person nën hetim për një nga lotet e Unazës së Tiranës, ndërkohë që në kërkesën e sjellë në kuvend, sqaron se e ka nën hetim edhe për nëntë procedura të tjera, ku përfshihen gjashtë procedurat për lotet e Unazës së Tiranës, koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar dhe dy procedura prokurimi për mirëmbajtje rrugësh.
Të dashur shqiptarë, nuk bëhet fjalë për procedura mijëra euro. Totali i të 11 procedurave të prokurimit korruptive për të cilën akuzohet qeveria e Edi Ramës, ka vlerën e mbi 1 miliardë euro. Dhe ky është rasti i parë ku një zyrtar i lartë, i cili akuzohet për korrupsion në 11 procedura, që ka paracaktuar çdo fitues, që ka caktuar se ku do të shkojnë paratë e fituara, ku ka zbatuar me prova të prokurorisë porositë e kryeministrit për të shpërblyer njërin apo tjetrin, tentohet të zvarritet, tentohet të blihet kohë, dhe tentohet të pengohet drejtësia.
E kemi thënë dhe dje gjatë mbledhjes, parlamenti ka një procedurë standarde tashmë, të kohës së arsyeshme brenda të cilës shqyrton kërkesat e Prokurorisë së Posaçme. Këshilli i Rregullores dhe Mandateve është mbledhur gjithmonë në të gjitha rastet brenda 48 orëve. I ka dhënë kohë personit ndaj të cilës, ndaj të cilit ngrihet akuza nga prokuroria 48 orë, maksimumi 72 orë, dhe më pas, brenda 72 orëve të ardhshme, ka miratuar kërkesën në seancë plenare.
Ky është rasti i parë ku mbyllet një mbledhje e Këshillit pa caktuar një mbledhje tjetër. Dua të ndaj me opinionin publik edhe një detaj se çfarë ndodhi dje në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Të vetmit avokatë të interesit publik në atë sallë ishin pesë përfaqësuesit e opozitës dhe prokurorët e çështjes.
Ndërkohë që pala kundër nesh ishin avokati i Belinda Ballukut dhe pesë përfaqësuesit e mazhorancës, duke nisur nga kryetari i Kuvendit e duke vijuar me kryetarin e grupit e me radhë, kolegët e tjerë të mazhorancës, të cilët në gjashtë orë diskutime, në asnjë moment të vetëm, nuk ishin zëdhënës të interesit publik, por ishin avokatë të mirëfilltë të Belinda Ballukut. Dhe absurdi arrinte deri aty sa thoshin, ne nuk duam kohë për shqyrtim, po kemi hallin si do t’i shqyrtojë letrat Belinda.
Madje avokati kërkonte tre javë kohë, ta thoshin t’i japim katër javë kohë. Një sjellje e tillë e papërgjegjshme, sigurisht që ka një urdhër me prapavijë politike pas saj, është urdhri i Edi Ramës për të penguar drejtësinë, është tmerri i Edi Ramës sepse drejtësia i ka shkuar në paradhomën e tij, dhe është frika e Edi Ramës nga ajo që Belinda Balluku di dhe mund dhe provon se urdhrin për të ndarë çdo procedurë prokurimi, për të caktuar dhe paracaktuar çdo fitues në çdo prokurë, në çdo procedurë prokurimi, ka qenë i Edi Ramës.
Dua gjithashtu t’ju informoj se gjatë orëve të pasdites, pas mbledhjes së djeshme, të pestë anëtarët e opozitës, kanë marrë atë që në fakt duhet ta merrnin që ditën menjëherë, thotë ligji, me mbërritjen e kërkesës, kanë marrë dosjen e plotë të sjellë nga Prokuroria. Pasi për pesë herë gjatë mbledhjes u tentua nga përfaqësuesit e mazhorancës të intimidoheshin prokurorët që të pohonin në seancë që deputetët nuk mund t’i marrin materialet, po Belinda po.
Unë dua të vlerësoj integritetin e jashtëzakonshëm që treguan të tre prokurorët dje në seancë, duke pohuar atë që ligji thotë, që deputetët kanë të drejtë, duke ruajtur sekretin hetimor, të njihen me dosjen e plotë të prokurorisë.
E në përfundim të kësaj fjale hyrëse, dua t’i bëj thirrje Edi Ramës, të heqë dorë nga pengimi që po tenton t’i bëjë drejtësisë, të heqë dorë nga tentativa e tij për të marrë peng drejtësinë, të heqë dorë nga avokatia ndaj të korruptuarës Belinda Balluku, të heqë dorë nga çdo manovër për të sulmuar drejtësinë me shpresën se do të shpëtojë prej saj. Faktet tashmë ndodhen jo në një dosje, por në disa dosje. Fatin e tij në raport me përgjegjësinë përpara ligjit e ka përcaktuar vetë.
Askush nuk i ka thënë të bëjë korrupsion, askush nuk i ka thënë të shpërblejë krimin e organizuar me tendera dhe koncesione, askush nuk i ka thënë ndaj paratë me bizneset e pista, ka qenë zgjedhja e tij. Dhe thirrja e dytë është për kryetarin e Kuvendit, zbato ligjin, zbato rregulloren dhe kërko thirrjen e menjëhershme në fillim të javës të mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të dëgjuar kërkesën e prokurorisë, për të dëgjuar argumentet apo mbrojtjen që ka për të bërë e pandehura Balluku, dhe për të marrë vendimin për t’i rekomanduar seancës plenare dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
DEKLARATA E OERD BYLYKBASHIT/ Detyra e parlamentit në procedurën e shqyrtimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të një deputeti apo një ministri, është fare e thjeshtë.
Nëse ka, pra duhet të kontrollojë dhe të verifikojë, të bëjë filtër për të kuptuar nëse ka persekutim politik ndaj deputetit apo ministrit që derivon nga vullneti i parlamentit. Nëse ka një, nëse ka një persekutim politik, sigurisht mbrohet me imunitet parlamenti.
Nëse nuk ka diçka të tillë, imuniteti parlamentar apo edhe i ministrave që kanë imunitet të njëjtë me atë të deputetit, nuk mund të bëhet për asnjë moment korracë, mburojë për krimin, për shkeljen e ligjit, për abuzimin me interesin publik apo me paranë e qytetarëve shqiptarë.
Nuk mundet as të pengojë dhe as të dëmtojë një hetim të ligjshëm që është në zhvillim e sipër. Për ta përmbyllur këtë, desha të theksoj dhe një fakt tjetër. Ajo që shohim, ajo që keni parë dhe ju, në ato të dhëna që ekzistojnë sot në publik, tregon fare qartë që kjo çështje, në të gjithë dimensionin e saj të jashtëzakonshëm, sepse është dhe çështja ndoshta më e madhe që ka ardhur ndonjëherë në parlamentin e Shqipërisë për të shqyrtuar parlamenti heqjen e imunitetit për një hetim kaq, me një dimension kaq të madh korruptiv, është edhe autopsi e mënyrës së funksionimit të shtetit.
Një shtet i cili ka në krye Edi Ramën, i cili përveç krimit të organizuar ka dhe korrupsionin e organizuar si dy kolonat që e mbajnë atë. Pra, është autopsi për të kuptuar si funksionon ky shtet i kalbur dhe gjithashtu për të kuptuar që Edi Ramën nuk e pengon asnjë lloj ligji.
Edi Ramën, nëse objektivi i tij është përfitimi total dhe kapja e shtetit, atë nuk do ta pengojë as kushtetuta, as ligji, as procedurat që përcakton rregullorja e kuvendit. Pra, këtë e kemi kuptuar edhe në seancën e djeshme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku me urdhër të qartë, të pesë deputetët socialistë me në krye kryetarin e kuvendit, kishin vetëm një qëllim:
si të bllokojnë dhe si të zvarrisin hetimin e prokurorisë së posaçme për t’i dhënë maksimalisht kohë Belinda Ballukut që të intimidojë dëshmitarët dhe të prishë prova.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











