Dorjan Teliti në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak të Tiranës
Në reagimin e tij nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për projektbuxhetin 2026, nënkryetari i Këshillit Dorian Teliti e cilësoi dokumentin financiar të paraqitur nga mazhoranca si një buxhet pa drejtim politik dhe pa përgjegjësi institucionale, në një bashki që sot, sipas tij, është “njëkohësisht pa kokë dhe me shumë koka”.
Ai theksoi se qytetarët e Tiranës po përballen prej vitesh me rritje të pandërprerë taksash, shërbime të dobëta dhe mungesë transparence, ndërkohë që paratë publike shpërdorohen për luks, propagandë dhe pagesa për shërbime që nuk ekzistojnë.
Në këtë kontekst, Teliti bëri të ditur se grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike do ta kundërshtojë fuqimisht projektbuxhetin, duke paraqitur 29 amendamente konkrete, të orientuara drejt lehtësimit fiskal për qytetarët, rritjes së shpenzimeve sociale, mbështetjes për familjet, arsimin, të rinjtë dhe fermerët, si dhe vendosjes së disiplinës financiare dhe kontrollit real mbi shpenzimet e Bashkisë së Kryeqytetit.
Reagimi i Nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti:
Live nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë për diskutimin e projektbuxhetit 2026 të bashkisë njëkohësisht pa kokë dhe me shumë koka.
Partia Demokratike do e kundërshtojë fuqimisht propozimin e mazhorancës, duke prezantuar 29 amendamente tejet të nevojshme për të futur në shinat e normalitetit aktin buxhetor të bashkisë së kryeqytetit.
Më poshtë vijon lista e plotë e amendamenteve të grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike:
Amendamenti 1: Ulje me 30% të taksës mbi ndërtesën (pronën).
Amendamenti 2: Përgjysmimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja.
Amendamenti 3: Ulje me 30% të taksës së tabelave reklamuese.
Amendamenti 4: Përgjysmimi i tarifës së pastrimit për familjarët dhe subjektet tregtare.
Amendamenti 5: Ulja me 50% të tarifave të parkimit, sidomos ato të zonës A.
Amendamenti 6: Përgjysmimi i tarifës së përdorimit të hapësirës publike.
Amendamenti 7: Subvencionimi i plotë i tarifës së ushqimit për fëmijët në çerdhe/kopshte publike.
Amendamenti 8: Kompensim mujor në masën 15 mijë lekë për çdo fëmijë të regjistruar në çerdhe/kopsht privat, në rast se aplikimi për t’u përfshirë në shërbimin e çerdhe/kopshte publike është refuzuar, për arsye të mbingarkesës, nga Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë Tiranë.
Amendamenti 9: Alokimi i një fondi për skemën e re të subvencioneve direkte ndaj fermerit/blegtorit të zonave rurale të kryeqytetit, në masën 500 milionë lekë në vit
Amendamenti 10: Ulja graduale gjatë 2 viteve të ardhshme, konkretisht me 15% gjatë vitit 2026 dhe 15% gjatë vitit 2027, e numrit të përgjithshëm të punonjësve, me qëllim krijimin e një administrate të vogël dhe eficiente në shërbim të qytetarëve dhe nevojave të Kryeqytetit.
Amendamenti 11: Gjatë 2026, ulje me 25% të shpenzimeve operative të përgjithshme të aparatit qendror dhe ndërmarrjeve & institucioneve të Bashkisë Tiranë.
Amendamenti 12: Gjatë vitit 2026, asnjë qindarkë financim nga buxheti i Bashkisë Tiranë për inceneratorin që nuk ekziston. Shërbimi që nuk jepet nuk mund të paguhet.
Amendamenti 13: Pezullimi i çdo shpenzimi për rikonstruksione zyrash dhe mobilime, deri në momentin ku, sipas ristrukturimit të domosdoshëm të shpenzimeve buxhetore nga ana e ekzekutivit të Bashkisë Tiranë, shpenzimet vjetore për investime publike të jenë të paktën në masën 50% të totalit të shpenzimeve të planifikuara.
Amendamenti 14: Pezullimi i të gjitha procedurave të prokurimit publik deri në ditën e ngritjes dhe fillimit të punës të Komisionit të Kontrollit të Brendshëm Financiar, detyrim ligjor dhe i rregullores së brendshme për funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë. Bëjnë përjashtim prokurimet të cilat lidhen me shërbimet e mbrojtjes së jetës, pronës dhe sigurisë.
Amendamenti 15: Kompensimi nga buxheti i Bashkisë Tiranë i efekteve të rritjes së çmimit të ujit, kryer 8 vite më parë, për familjarët dhe subjektet tatimpaguese, deri në momentin e furnizimit të plotë me 24 orë ujë të familjeve dhe subjekteve tatimpaguese që operojnë në Bashkinë e Kryeqytetit.
Amendamenti 16: Kompensim ditor për ushqimin e nxënësve të sistemit parauniversitar, në masën 250 lekë/ditë mësimi për nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare dhe 300 lekë/ditë mësimi për nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave profesionale. Kompensimi nuk aplikohet në rast të zbatimit nga Bashkia Tiranë të projektit të ofrimit të ushqimit për nxënësit sipas angazhimit në këtë projektbuxhet.
Amendamenti 17: Anullimi i çdo fondi të planifikuar për vitin 2026 për marketing dhe evente, dhe rialokimi i tyre në buxhetin e dedikuar për qendrat komunitare dhe shërbimet për të moshuarit.
Amendamenti 18: Krijimi i një fondi të veçantë prej 100 milionë lekë për mbështetje ligjore falas për qytetarët në konflikte gjyqësore me Bashkinë Tiranë, për çështje të një natyre specifike sipas përcaktimeve në një vendim të posaçëm të Këshillit Bashkiak.
Amendamenti 19: Alokimi i një fondi prej 500 milionë lekë për ngritjen/përmirësimin e elementeve të sigurisë në zonat përreth objekteve të arsimit parauniversitar, me qëllim rritjen e sigurisë fizike dhe parandalimin e akteve të dhunës.
Amendamenti 20: Alokimi i një fondi prej 200 milionë lekë për monitorimin e ndotjes së ajrit dhe zhurmës, me qëllim ngritjen e kapaciteteve vlerësuesë dhe më pas marrjen e masave për uljen e ndotjeve tejet të larta të ajrit në Kryeqytet.
Amendamenti 21: Alokimi i një fondi prej 500 milionë lekë në buxhetin 2026 për ndërtimin, në tokë publike, të 11 tualeteve publike, nga një tualet publik për secilën njësi administrative të zonës urbane të Bashkisë Tiranë. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 22: Alokimi i një fondi prej 500 milionë lekë në buxhetin 2026 për ndërtimin në tokë publike në zonën e Astirit të dy çerdheve publike me kapacitet prej të paktën 150 fëmijë secila çerdhe, dy kopshteve publike me kapacitet prej të paktën 250 fëmijë secili kopsht, një shkolle 9-vjeçare publike me kapacitet prej të paktën 2.000 nxënës dhe një shkolle të mesme publike me kapacitet prej të paktën 1.000 nxënës. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 23: Alokimi i një fondi prej 300 milionë lekë në buxhetin 2026 për ndërtimin në tokë publike në zonën e Liqenit të Thatë të një çerdheje publike me kapacitet prej të paktën 150 fëmijë, një kopshti publik me kapacitet prej të paktën 250 fëmijë dhe një shkolle 9-vjeçare publike me kapacitet prej të paktën 1.500 nxënës. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 24: Alokimi i një fondi prej 600 milionë lekë për ndërtimin, brenda Qytetit Studenti apo në toka të përshtatshme publike në afërsi të objekteve të arsimit të lartë publik, të 4 godinave të reja për strehim studentor (konvikte publike), me kapacitet total strehimi për të paktën 2 mijë studentë. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 25: Alokimi i një fondi jo më të lartë se 5 milionë lekë për kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e plotë të projektit brenda 6 muajve të parë të vitit 2026 të projektit “Ndërhyrje urgjente përmes ndarjes dhe ridrejtimit të trajtimit të ujërave të zeza që derdhen në Liqenin Artificial të Tiranës”.
Amendamenti 26: Të përfshihet në PBA 2026-2028 fondet e nevojshme për vënien në funksion të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Kashar, sipas planit të miratuar dhe financuar nga qeveria japoneze.
Amendamenti 27: Të përfshihet në PBA 2026-2028 fondet e nevojshme për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në Njësinë Administrative Nr. 11, rrugët në brendësi të lagjeve te zona e shinave të trenit dhe në zonën e Kodër Kamzës, përfshirë asfaltim, kanalizimin e ujërave të zeza, ndriçim publik dhe sinjalistikë për të përmirësuar sigurinë dhe lëvizshmërinë e banorëve të zonës. Për vitin 2026, të parashikohet vlera të paktën 200 milionë Lek. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetet e viteve 2027-2028.
Amendamenti 28: Krijimi i programit ‘Rikthehu & Puno’ për të rinjtë e diasporës. Të parashikohet dhe të alokohet një fond i dedikuar prej 50 milionë lekë për ngritjen e programit “Rikthehu & Puno”, i cili synon të tërheqë të rinjtë shqiptarë të arsimuar ose të kualifikuar që ndodhen në diasporë, për t’u rikthyer dhe për të hapur biznes ose për t’u punësuar në Tiranë.
Amendamenti 29: Digjitalizimi i aboneve studentore. Të alokohet buxhet prej 10 milionë lek për financimin e projektit. Të krijohet një sistem i plotë digjital për abonetë studentore, duke përfshirë: aplikimin online, identifikimin me QR, verifikimin automatik në autobusë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












