Apeli i GJKKO, prokurorët prova të reja për Ballukun

Shares

Apeli i Posaçëm la në fuqi masat e sigurimit  për Ballukun dhe vartësit e saj të Rrugëve.

Në seancën që u zhvillua në Apelin e Posaçëm mbi ankimin e bërë nga Belinda Balluku, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjyqtares Miliana Muça lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, përfshirë edhe masën e pezullimit nga detyra. Sipas prokurorisë, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet, por jo vetë masën e sigurisë.

Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqitën prova të reja, të njëjtat që janë dorëzuar edhe në Kuvend, të cilat, sipas tyre, rëndojnë pozitën penale të zëvendëskryeministres.

Avokatët e Ballukut kërkuan pushimin e gjykimit sa i përket masës së pezullimit nga detyra, me argumentin se për këtë çështje është shprehur tashmë Gjykata Kushtetuese, si edhe rrëzimin e masës tjetër të bllokimit të pasaportës.

Ata kundërshtuan gjithashtu provat e reja, duke pretenduar se nuk ka pasur asnjë kërcënim nga ana e Ballukut.

Ndërkohë, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli kërkuan heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe zëvendësimin e saj me një masë më të butë, duke argumentuar se aktualisht pengohen në ushtrimin e funksioneve të tyre. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...