Veliaj në një mbledhje të mëhershme të këshillit
Këshilli Bashkiak i Tiranës, anëtarët socialistë kërkon nga SPAK dhe Burgjet lejimin e Erion Veliajt për pjesëmarrje në konsultimet e buxhetit 2026. Të njëjtit nuk pranuan praninë e tij në vendimin që mori këshilli për shkarkimin e Veliajt pak javë më parë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës, anëtarët e PS, i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për të mundësuar pjesëmarrjen fizike të kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.
Sipas Këshillit Bashkiak, pjesëmarrja e kryebashkiakut në këtë proces përbën një detyrim ligjor, të përcaktuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, si dhe është e domosdoshme për garantimin e bashkëpunimit institucional në çështje me interes publik.
Në kërkesë theksohet se ligji i jep kryetarit të bashkisë të drejtën dhe detyrimin për të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit dhe për të raportuar mbi projektbuxhetin, ndërsa Këshilli shprehet i gatshëm të bashkëpunojë për çdo masë sigurie apo protokoll të nevojshëm.
Kërkesa e plotë e Këshillit Bashkiak, anëtarët e PS.
Lënda: Kërkesë për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në konsultimin për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026
STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, referuar kërkesës së tij nr. 42497 prot., datë 15.12.2025, për të marrë pjesë në konsultimin e PBA 2026–2028 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026.
Sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, konkretisht:
- Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
- Neni 60 përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështje të interesit publik.
Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, referuar edhe ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41 parashikon se “Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri më 18 dhjetor 2025.
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












