Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka reaguar pas interesit të medias lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, duke sqaruar procedurën e ndjekur gjatë ekzekutimit të një vendimi gjyqësor në ambientet e Këshillit të Ministrave.
Sipas BKH-së, më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të institucionit janë paraqitur në Kryeministri për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, me të cilin ishte vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë njoftuar nga Garda e Republikës se, sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarime për mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve, ndërsa Garda i ka orientuar drejt dollapëve të posaçëm të sigurisë në hyrje të godinës.
BKH thekson se, pasi u verifikua se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, armët u depozituan dhe hetuesit vijuan normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
“Në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, sqaron institucioni në deklaratën e tij.
Në reagim, BKH rikujton gjithashtu se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës së zjarrit mbështetet në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












