Varret e Selcës
Policia e Pogradecit ka ndaluar në flagrancë katër të rinj teksa po kryenin gërmime të paligjshme në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme, në zonën e Mokrës. Ata u kapën nga inspektori i policisë së zonës, pas një informacioni operativ të marrë nga banorë të fshatit, të cilët kishin vënë re persona që përdornin detektorë metalesh dhe po gërmonin në pjesën anësore të territorit arkeologjik.
Sipas burimeve, të rinjtë janë banorë të zonës së Korçës dhe ndaj tyre po kryhen veprimet e para hetimore në vendngjarje, për t’u shoqëruar më pas në komisariatin e policisë.
Kjo shënon rastin e parë kur policia arrin të kapë në flagrancë persona që gërmojnë në varret ilire në kërkim të metaleve apo objekteve arkeologjike me vlerë. Ndërkohë, gjatë 2–3 muajve të fundit janë konstatuar edhe tre raste të tjera gërmimesh të paligjshme në këtë zonë, të cilat kanë mbetur pa autor.
Varret Ilire të Selcës, që datojnë në fundin e shekullit IV para Krishtit, janë të veçanta dhe unike në shkallë evropiane. Ato janë shpallur zonë arkeologjike e kategorisë A, por pavarësisht këtij statusi, hyrja e personave të paautorizuar mbetet e lehtë, pasi zona nuk është e rrethuar apo e siguruar nga institucionet përgjegjëse.
Situata është bërë edhe më problematike pas ndërtimit të rrugës së re Qukës–Qafë Plloçë, e cila kalon shumë pranë territorit arkeologjik, duke ua lehtësuar aksesin personave që synojnë gërmime të paligjshme në kërkim të pasurive arkeologjike. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












