Opozita thërret protestën kombëtare më 22 dhjetor

Shares

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur 22 dhjetorin si datën e protestës së përgjithshme kombëtare, duke theksuar se largimi i qeverisë aktuale dhe rikthimi i votës së lirë janë boshti kryesor i agjendës së opozitës.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se opozita nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç protestave, pasi, sipas tij, me këtë qeveri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai theksoi se beteja e opozitës ka marrë një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare, e reflektuar në shtatë rezoluta që, sipas tij, sanksionojnë Shqipërinë si narkoshtet, dënojnë zgjedhjet farsë, shtypjen e pluralizmit politik dhe persekutimin e opozitës.

Berisha vuri në dukje se raporti i OSBE/ODIHR përbën një bazë të fortë ligjore dhe ndërkombëtare për kërkesën e opozitës për një qeveri teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Sipas tij, mazhoranca aktuale qëndron mbi zgjedhje të dhunuara dhe për këtë arsye nuk përfaqëson një mazhorancë legjitime.

Duke iu drejtuar strukturave dhe drejtuesve të opozitës, Berisha theksoi se çdo anëtar duhet të jetë i qartë për misionin politik që ka përpara. “Kush është në lartësinë e këtij misioni, angazhohet. Kush nuk i përgjigjet dot, del anash”, u shpreh ai, duke nënvizuar se rruga e protestave është jetike dhe vendimtare për opozitën shqiptare.

Në përfundim, kreu i PD-së konfirmoi se 22 dhjetori do të shënojë nisjen e protestave kombëtare, të cilat, sipas tij, do të jenë kryefjala e vetme e agjendës opozitare në vijim. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...