Gazment Bardhi
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, duke e cilësuar atë si një akt politik të diktuar nga Kryeministri Edi Rama për të penguar drejtësinë.
Në një deklaratë publike, Bardhi u shpreh se vendimi nuk përbën asnjë surprizë dhe se opozita e kishte paralajmëruar prej ditësh një zhvillim të tillë. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese i është nënshtruar presionit “mafioz” të kryeministrit, duke marrë një vendim që nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën dhe ligjin.
“Pesë anëtarët që formuan shumicën as nuk e kanë marrë mundimin të shkruajnë qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse ai nuk është juridik, por një akt i pastër politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtoren e tij,” theksoi Bardhi.
Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vetëm i përkohshëm dhe synon t’i japë kohë kryeministrit për të mbrojtur, sipas tij, aferat korruptive. Bardhi theksoi se ky vendim nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje dhe nuk rikthen 50 milionë eurot e grabitura.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, as Edi Rama dhe as Belinda Balluku nuk gëzojnë mbrojtje afatgjatë, pasi aktet madhore të korrupsionit nuk neutralizohen me manovra procedurale apo me vendime të përkohshme të marra nën presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Bardhi theksoi se fundi i kësaj historie nuk do të jetë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit, por i së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik, duke nënvizuar se koha mund të blihet, por llogaridhënia jo.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












