Musabelliu, Gokaj dhe Braho rrëfejnë prioritet e tyre, si do të drejtonin SPAK

Shares

Kandidatja për drejtimin e SPAK, Doloreza Musabelliu, u pyet në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sfidat që mund të përballet si grua nëse zgjidhet në krye të institucionit. Gjatë përgjigjes së saj, Musabelliu theksoi se aftësitë kryesore të një drejtuesi nuk lidhen me gjininë, por me vendimmarrjen e shpejtë, vizionin për drejtimin e institucionit, krijimin e një ambienti pune efikas dhe kapacitetin për t’u përballur me presione të brendshme dhe të jashtme.

“Mendoj që një drejtues i SPAK duhet të ketë disa cilësi që janë aftësi për vendimmarrjes të shpejtë, për të drejtuar me vizion, për të siguruar ambient efikas, aftësi për ti bërë ballë presioneve, i brendshëm i jashtëm, nuk shoh që ndonjëra prej tyre të lidhet me gjininë”, tha ajo.

Kandidati për drejtimin e SPAK, prokurori Elvin Gokaj, gjatë paraqitjes së platformës së tij, theksoi se drejtimi i Prokurorisë së Posaçme duhet të mbështetet mbi efikasitetin, bashkëpunimin dhe fokusin tek hetimet cilësore.

Ai deklaroi se çdo prokuror duhet të përqendrohet tek hetimi dhe ndjekja penale, duke pasur besim të plotë tek aftësitë profesionale të stafit mbështetës.

Gokaj nënvizoi se strategjia e tij drejtuese do të përqendrohet në disa hapa kyç, ku i pari lidhet drejtpërdrejt me politikën e goditjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai shtoi gjithashtu se edhe korrupsioni, sidomos ai i ashtuquajturi i “jakave të bardha”, ka njohur zhvillim të shpejtë dhe kërkon qasje të reja hetimore.

“Çdo prokuror duhet të fokusohet tek mund të fokusohet tek hetimi dhe ndjekja penale duke pasur besim tek aftësitë e stafit mbështetës. Strategjia ime e drejtimit do të përqendrohet në këto hapa:

Hapi i parë lidhet me politikën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Krimi i organizuar përfaqëson një nga kërcënimet me serioze. Ai ka kaluar fazat e operimit tradicional duke evoluar drejt infiltrimit në ekonomi, pastrimit të parave dhe ndikim në vendimmarrje publike.

Edhe korrupsioni specifikisht i ‘jakave të bardha’ ka evoluar me ritme të mëdha dhe është e domosdoshme jo vetëm goditja e faktit korruptiv, por edhe konfiskimi i produkteve të ardhur nga krimet korruptive”, tha prokurori.

Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho, shpalosi i fundit platformën para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke deklaruar se ka një eksperiencë 18-vjeçare në sistemin e Prokurorisë.

“Kam qenë në prokuroritë e Beratit, Vlorës, Krimet e Rënda dhe SPAK. Në SPAK jam drejtues i seksionit kundër korrupsionit. Gjatë veprimtarisë sime kam hetuar funksionarë nga niveli bazik deri në ministër. Kam pasur në duar çështje për zyrtarë të lartë, apo funksionarë të sistemit të drejtësisë”, tha Braho, përcjell A2 CNN.

“Në vitin 2023 janë konfiskuar me kërkesën time në një procedim të vetëm 18.4 milionë euro, shumë sa 2-fishi i buxhetit vjetor të SPAK”. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...