Rrjeti i gjerë kriminal shqiptar bashkëpunonte ngushtë edhe me mafien italiane Sacra Corona Unita ndërsa Durrësi rezultonte qendra e vendimmarrjes së aktivitetit të tyre. Autoritetet italiane të Breshias e cilësojnë këtë si një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në vitet e fundit.
Operacioni ka prodhuar 24 masa sigurie dhe sekuestrime pasurish me vlerë 3 milionë euro, ndërsa në total janë hetuar 49 persona. Prej tyre, 21 janë arrestuar me burg, ndërsa tre të tjerë janë vendosur në arrest shtëpiak.
Hetimi pesëvjeçar ka zbuluar se grupi trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut, e cila dërgohej fillimisht drejt porteve të Evropës Veriore dhe më pas transportohej në Itali me kamionë. Droga depozitohej në gjashtë baza operative, tre prej të cilave ndodheshin në provincën e Brescias.
Sipas hetuesve, drejtimin e rrjetit nga Shqipëria e mbanin Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”. Ata jepnin urdhra për menaxhimin e magazinave në Itali, ku sasia e drogës ndahej dhe shpërndahej përmes një strukture të mirëorganizuar.
Një pjesë e të ardhurave kriminale kthehej në Shqipëri dhe pastrohej përmes personave të autorizuar dhe bizneseve, ndërsa për logjistikën transportuese përdorej edhe një kompani italiane ku punonte Giuseppe Iorio, sot në arrest shtëpiak.
Baza në Puglia, e menaxhuar nga Altin Shehaj dhe Vincenzo Bruno, ishte pika strategjike e furnizimit dhe kishte lidhje direkte me Sacra Corona Unita. Sipas hetuesve, rreth 130 kilogramë kokainë janë transportuar nga Amerika e Jugut në këtë linjë.
Nga gjashtë personat e shpallur në kërkim nga Antimafia që ndodheshin në Shqipëri, vetëm për tre është ekzekutuar masa: Altin Shehaj, Erald Salla (arrest shtëpie), Asti Llupi.
Për tre të tjerët ende nuk ka informacion zyrtar. Ndërkohë, në kuadër të hetimit të këtij grupi, SPAK ka arrestuar edhe oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












