Një operacion ndërkombëtar antidrogë i koordinuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Brescia-s ka çuar në shpërbërjen e një organizate kriminale që drejtohej nga Shqipëria dhe që merrej me trafikimin ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Në kuadër të hetimit janë ekzekutuar 24 urdhra arresti në Itali, Shqipëri, Francë dhe Angli, ndërsa janë sekuestruar rreth 3 milionë euro pasuri të përfituara nga trafiku.
Sipas hetimeve të zhvilluara nga Guardia di Finanza dhe Drejtoria Kombëtare Antimafia italiane, banda kishte arritur të trafikonte mbi 1.300 kilogramë kokainë përmes rrugëve detare tregtare që kalonin nëpër portet më të mëdha të veriut të Europës. Droga më pas transportohej drejt Italisë me mjete të rënda rrugore, e fshehur në ngarkesa tregtare, dhe depozitohej në gjashtë baza logjistike të shpërndara në të gjithë vendin.
Hetimet, të zhvilluara që nga viti 2020 në bashkëpunim me autoritetet shqiptare të SPAK-ut, ato zvicerane dhe agjencitë ndërkombëtare Eurojust dhe Europol, zbuluan një rrjet të sofistikuar komunikimi të koduar dhe një sistem transporti parash përmes të ashtuquajturve *money mules*. Këta bartës fizikë të parave – kryesisht shoferë autobusësh në linjën Itali–Shqipëri – përdorëshin për të transferuar fitimet e mëdha të trafikut drejt drejtuesve të organizatës në Shqipëri.
Gjatë fazave të hetimit janë arrestuar në flagrancë 10 persona, janë sekuestruar mbi 550 mijë euro në para të gatshme, 10 automjete, një pistoletë gjysmë automatike dhe 130 kilogramë drogë (kokainë dhe heroinë). Vlera totale e drogës, nëse do të dilte në treg, përllogaritet mbi 12 milionë euro.
Operacioni u zhvillua me pjesëmarrjen e mbi 150 efektivëve të Guardia di Finanza-s, të mbështetur nga njësitë speciale antidrogë, forcat policore shqiptare dhe franceze, si dhe nga pajisje teknologjike moderne dhe njësi qenësh të trajnuar për kërkimin e drogës dhe parasë së gatshme. Aktualisht, vijojnë mbi 35 kontrolle në territorin italian.
Autoritetet theksojnë se të gjitha masat janë marrë në bazë të provave të deritanishme dhe se personat e ndaluar gëzojnë ende prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












