Oficeri i Policisë së Shtetit Igli Haxhiaj, i cili u arrestua sot nga SPAK akuzohet se ka nxjerrë sekret hetimor ndërsa ka kërkuar në shkëmbim përfitime të parregullta monetare.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi Igli Haxhiaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dyshohet se u ka zbuluar personave të dyshuar të dhëna nga aktet procedurale që përbënin “sekret hetimor”, në lidhje me procedimin penal për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimin e parave. Ai akuzohet se ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të zbulimit të këtyre të dhënave sekrete dhe se ka kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, me vendimin nr. 119 datë 25.11.2025, ka caktuar ndaj I.H. masën e sigurisë “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për veprat “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, sipas neneve 248, 295/a paragrafi 3 dhe 319/ç të Kodit Penal. Masa e sigurisë është ekzekutuar më 27.11.2025 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar fazën kryesore të hetimeve për procedimet penale nr. 49/3 të vitit 2023 (ish nr. 49 i vitit 2019) dhe nr. 29 të vitit 2024, që lidhen me veprimtari të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimit të parave, korrupsionit dhe disa veprave të tjera penale të parashikuara nga Kodi Penal. Me kërkesë të kësaj prokurorie, Gjykata e Posaçme ka lejuar kontrolle të personave dhe ambienteve për 21 persona nën hetim, të cilat u kryen sot, më 27.11.2025, nga shërbimet e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Procedimet janë hetuar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Brescia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Hetimet e përbashkëta kanë zbuluar veprimtarinë e një grupi kriminal të strukturuar, kryesisht me shtetas shqiptarë, që dyshohet se ka trafikuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore, duke nisur nga territori shqiptar, me degëzime organike në Itali, dhe duke përdorur rrugë detare për importimin e drogës dhe rrugë tokësore me automjete të tonazhit të rëndë për ta transportuar drejt Italisë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine prej mbi 1.300 kg, e cila dyshohet se është futur në territorin italian, ruajtur dhe magazinuar për t’u shpërndarë në 6 baza logjistike operative, të ngritura nga grupi në zona të ndryshme të Italisë. Brenda këtyre bazave, personat përgjegjës dyshohet se kanë vijuar me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe mbledhjen e shumave të mëdha të parave ‘cash’, të përfituara nga shitja.
Sipas hetimeve, shumat e konsiderueshme të parave të ardhura nga trafiku janë transferuar te drejtuesit e grupit kriminal përmes të ashtuquajturve ‘money mules’, korrierë financiarë që ishin pjesë e strukturës kriminale, përfshirë edhe disa shoferë autobusi që operonin në linjën Itali–Shqipëri. Përveç masave të sigurisë të vendosura sot, gjatë veprimtarisë hetimore të autoriteteve italiane janë arrestuar në flagrancë 10 persona pjesë e grupit, si dhe janë sekuestruar mbi 550.000 euro ‘cash’, 10 autovetura, 1 pistoletë gjysmëautomatike dhe rreth 130 kg lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë), të cilat, sipas vlerësimeve, nëse do të hidheshin në treg do të arrinin një vlerë rreth 12 milionë euro.
Në total, për 24 persona janë caktuar masa sigurimi “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane, ndërsa është verifikuar se 6 prej tyre ndodhen aktualisht në Shqipëri, nga të cilët 3 janë arrestuar. Paralelisht, në territorin shqiptar janë kryer kontrolle ndaj 21 personave nën hetim, në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












