Nga Sonila Meço
Nëse energjia e debatit publik konsumohet vetëm në nyjet ku ngecin juristët mbi procedurat e pezullimit të zv/kryeministres, nuk mbetet fuqi për të dalë në terren për të parë skanimin ambiental të korrupsionit qeveritar.
Një provë materiale e një qeverisjeje të rrënuar në rrugë të sapoprera shiritash përurimi, të paguara si akse evropiane.
Çdo metër kub uji, dherash, gurësh që rrëmben asfalt, ekspozon një metër kub mungesë standardi. Bashkë me rrezikun për jetën.
Çdo rrugë që shkatërrohet nga reshje shiu të zakonshme është akt ekspertimi në kohë reale.
Në çdo vend normal, pas një nate dëmesh të tilla, në terren zbret kryeministri. Mbahen përgjegjësi. Por kryeministri nuk shfaqet në terren, se terreni nuk pyet për korrektesë politike, për ngërçe juridike, relativizime e opinione. Terreni nuk pyet për imunitete. Terreni zbulon kush ka firmosur, kush ka faturuar, kush ka urdhëruar, kush ka mbyllur sytë, sa fonde janë vjedhur.
Kontratat publike po bëjnë vendin të dergjet nën ujë e gurë, ndërkohë që debati publik është zaptuar nga zelli mbi procedurën juridike të pezullimit të një ministreje në krye të këtyre punëve. Sepse pilotët e debatit nuk diskutojnë dot sesi pas një reforme në drejtësi që i del për zot bash kryeministri i qeverisë së këtyre punëve publike, nuk pezullohet dot fenomeni që na ka kushtuar miliarda.
Pezullimi që së fundmi kërkoi GJKKO për zv/ kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës nuk është dënim, as shpallje fajtori, por mjet për të mbrojtur hetimin nga pushteti.
Pikërisht për këtë ekziston, ndaj funksioneve të emëruara zbatohet. Mu aty ku ka risk të prekshmërisë, ndikimit, presionit.
Të çaktivizosh kontrollin penal mbi pushtetin ekzekutiv është si të vendosësh Qeverinë mbi ligjin. Që gjithsesi ia ka dalë të vërë përposhtë edhe kushtetutë e Gjykatë Kushtetuese kur është dashur të hetohen ministra të saj. A nuk qe kjo filozofi që duhej reformuar në vitin 2016 me sistemin e ri të drejtësisë?
Kë po mbron ky debat procedurial? Deputetin? Jo, atë e mbron mandati parlamentar marrë nga zgjedhësit.
Shtetin e së drejtës? Jo, sepse masa proceduriale bazohet mbi nen të Kodit të Procedurës Penale. Masë jo politike, e përkohshme, e arsyetuar, e ankueshme dhe nuk prek parimin e ndarjes së pushteteve. Shteti i së drejtës nuk shkelet kur drejtësia kufizon pushtetin, por kur pushteti i shmanget drejtësisë.
Dhe rikthehemi tek pushteti.
Ndërsa Shqipëria notonte duke klithur nën ujë kryeministri zgjodhi ose të nanurisej në podcast-in e tij me arie oksidenti, ose të udhëtonte larg, atje ku shndrisnin teminat e sfilatave të modës.
Pa asnjë kujdes mbi përmbytjet, për rrugët e sapo inauguruara që u shpërbënë si karton pas një nate shiu, për bizneset e fundosura, për fushat dhe shtëpitë e rrënuara.
Ndërsa Shqipëria numëron dëmet, atij i mbetet puna e rëndë të numërojë shikimet në YouTube. Në vend të verifikonte dështimin e qeverisjes së tij para lumenjve që marrin me vete investime, miliona dhe pasuritë e shqiptarëve, kryeministri ia le skenën seminareve juridike mbi pezullimin e zëvendëses së tij, një procedurë që s’ndryshon dot motin. Po as qeverinë.
Midis interpretimeve dhe fakteve, zgjedh të dytat. Shqipëria nuk është nën ujë nga reshjet. Është nën ujë nga mungesa e llogaridhënies. Dhe kjo nuk thahet me debat procedural, por me provë materiale. Të cilën terreni po e jep vetë. Pa retorikë. Pa imunitet. Pa puç shteti.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












