Rrëshqitje masive dherash mbyllin aksin Qukës–Qafë Plloçë, vetëm dy muaj pas inaugurimit.
Një shembje e madhe dherash dhe shkëmbinjsh ka bllokuar plotësisht aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë.
Sipas informacioneve nga terreni, pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit është shkëputur një masiv i konsiderueshëm mali, çka ka sjellë mbylljen totale të rrugës. Përballë situatës emergjente, kompania kontraktore e mirëmbajtjes ka vendosur në funksion një bypass provizor, si zgjidhje e përkohshme për qarkullimin e automjeteve. Ky është incidenti më serioz i shënuar deri më sot në këtë aks, i cili edhe më herët ka paraqitur probleme.
Aksi Qukës–Qafë Plloçë, me një kosto rreth 260 milionë euro dhe një proces ndërtimi që zgjati 14 vite, ka dalë jashtë funksioni pas vetëm dy muajsh përdorim. Shembjet masive shtojnë dyshimet mbi cilësinë e punimeve dhe mungesën e studimeve të plota gjeologjike për vlerësimin e qëndrueshmërisë së terrenit.
Problemet e përsëritura në këtë rrugë rrisin shqetësimet për projektimin, mbikëqyrjen dhe standardet e ndërtimit të saj. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












