SPAK ka bërë të ditur sot se ka refizuar një kërkesë të kryetarit në burg të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për takim me një delegacion të Këshillit të Europës ndërsa ka shpjeguar se nuk ka kërkesë zyrtare nga delegacioni.
Prokuroria e Posaçme ka reaguar sot në lidhje me kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të zhvilluar një takim me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, gjatë vizitës së tyre zyrtare në Shqipëri.
Sipas njoftimit, më 11 nëntor 2025 Veliaj, i cili ndodhet nën hetim si i pandehur, i ka drejtuar SPAK një kërkesë për të marrë leje për këtë takim, pa specifikuar emrat e anëtarëve të delegacionit.
Prokuroria e Posaçme e ka refuzuar kërkesën më 18 nëntor, duke argumentuar se leja për një takim të tillë nuk mund të jepet në bazë të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, konkretisht neneve 49, pika 1, dhe 73, pikat 1 dhe 2, si edhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 209/2022.
SPAK thekson gjithashtu se, ndryshe nga raportimet e disa mediave, në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga ana e përfaqësuesve të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës për një takim me Erion Veliajn.
Prokuroria sqaron se çdo procedurë për leje takimesh për personat nën masë sigurie ndiqet sipas rregullave strikte të parashikuara në legjislacionin në fuqi. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












