Rama rikthen debatin me qeverinë britanike, 700 familje shqiptare drejt dëbimit nga Britania

Shares

Rama reagon ashpër ndaj deklaratës së Ministres së Brendshme britanike duke e konsideruar atë si “Retorikë e ekstremit të djathtë, e papranueshme për një vend aleat”.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta në platformën X ndaj deklaratës së Ministres së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila përmendi “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil, si argument për rinisjen e kthimeve familjare.

Rama e cilëson “zhgënjyese” qasjen e ministres britanike, duke theksuar se si mundet një ministre laburiste të përsërisë, sipas tij, një retorikë të ngjashme me atë të “ekstremit të djathtë populist”, duke veçuar shqiptarët si problem në një moment kur Britania dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për adresimin e migracionit të paligjshëm.

Kryeministri kujton se falë bashkëpunimit të nisur në fund të vitit 2022, numri i mbërritjeve të parregullta nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar “pothuajse është zhdukur”, çka sipas tij tregon se politikat e përbashkëta kanë funksionuar. Ai nënvizon se kufizimet aktuale të vizave dhe lëvizjes së qytetarëve shqiptarë nga pala britanike “janë një relike e dështuar e epokës Braverman” dhe vijojnë të dëmtojnë si lirinë e lëvizjes, ashtu edhe ekonominë britanike.

Rama thekson se shqiptarët janë “kontribuues neto” në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar dhe se numri i atyre që përfitojnë skema sociale në Britani është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. Veçimi i vazhdueshëm i shqiptarëve, sipas tij, “nuk është politikë, por një akt i pahijshëm demagogjie”.

Ai rikujton se Shqipëria mbetet një aleat aktiv i Londrës në kontrollin e migracionit në Ballkan dhe apelon që Britania të forcojë bashkëpunimin me Tiranën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në vend që të ushqejë narrativa që rrisin rrezikun ndaj qytetarëve shqiptarë, përfshirë nga grupet ekstremiste.

“Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe,” përfundon reagimi i kryeministrit. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...