Modele të prodhuara në Gjilan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e industrisë së mbrojtjes dhe zhvillimit të dronëve luftarakë po ndërtohet dhe po zhvillohet edhe në Kosovë, duke e kthyer vendin në një prodhues të teknologjisë së mbrojtjes.
Gjatë një vizite në Gjilan, bashkë me kryetarin Alban Hyseni, Kurti pa nga afër punën e kompanive vendore që po zhvillojnë dhe prodhojnë dronë ushtarakë dhe civilë: “Skifteri”, “Future Minds Academy” dhe “MIGA SkyShield MAR”.
“Made in Gjilan, përveçse natyrisht Made in Kosova,” theksoi kryeministri, duke shtuar se droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe lartësi deri në 2,500 metra, ndërsa “Skifteri” mund të ngjitet deri në 5,000 metra, me hapësirë operuese prej 20 km dhe shpejtësi deri në 270 km/h.
Kurti kujtoi se Kosova ka investuar ndjeshëm në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes blerjes së dronëve nga shtetet partnere si Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikaz Skydagger. Por tani, shtoi ai, vendi po hedh hapa përpara duke filluar prodhimin e vet të dronëve luftarakë.
“Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri,” u shpreh kryeministri Kurti.
Sipas tij, këto projekte janë dëshmi e avancimit teknologjik dhe industrial të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe inovacionit. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












