Foto ilustruese
SPAK çon në gjyq tre persona për korrupsion zgjedhor në Lezhë, në mbështetje të Partisë Socialiste.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen penale nr. 55 të vitit 2025, që lidhet me korrupsionin gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun e Lezhës.
Të pandehurit e dërguar për gjykim janë: Gersi Kaçorri, i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal; Besnik Uka, i akuzuar për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal; Artur Jahja, gjithashtu i akuzuar për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimi penal është regjistruar mbi bazën e materialeve të referuara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila kishte ndjekur rastin me metoda speciale të hetimit, përfshirë përgjime telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore.
Sipas SPAK, hetimi proaktiv ka provuar se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, tre të pandehurit janë përfshirë në veprimtari të paligjshme në Qarkun e Lezhës, veçanërisht në zonën e Bashkisë Kurbin.
Nga provat e grumbulluara rezulton se Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë premtuar, ofruar dhe shpërndarë shuma parash për zgjedhësit, me qëllim që këta të votonin në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.
SPAK thekson se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore të këtij subjekti, duke ndikuar në mënyrë të kundërligjshme tek votuesit përmes dhënies së parave në këmbim të votës.
Çështja tashmë është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të akuzuarve. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












