Një moment gazmor u regjistrua gjatë seancës plenare në Kuvend, ku një lapsus i kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, shkaktoi të qeshura mes deputetëve. Teksa po i jepte fjalën për procedurë deputetit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Peleshi ngatërroi emrat duke e thirrur “zoti Balluku”.
“Për procedurë z. Balluku, Këlliçi! Ndjesë për lapsusin”, u shpreh kryeparlamentari, ndërsa në sallë shpërthyen të qeshurat.
Deputeti Këlliçi nuk e la pa një përgjigje ironike, duke iu referuar çështjes së tunelit të Llogarasë, për të cilin zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK.
“E di që e keni mendjen tek tuneli i Palloshit, s’keni faj”, tha ai, ndërsa më pas vijoi me batuta të tjera ndaj qeverisë.
Sipas Këlliçit, Balluku “ka një meritë të madhe”, pasi ka shpikur një “mikrotoponim të ri”.
“Tuneli i Llogarasë nga sot quhet tuneli i Palloshit, ka meritë të madhe”, u shpreh deputeti demokrat.
Pjesë nga replikat në sallë:
Niko Peleshi: Për procedurë z. Balluku, Këlliçi (Shkakton të qeshura në sallë)
Belind Këlliçi: E di që e keni mendjen tek tuneli i Palloshit, s’keni faj
Niko Peleshi: Ndjesë për lapsusin
Belind Këlliçi: Balluku ka një meritë se na ka shpikur një mikrotoponim të ri, tuneli i Llogarasë që nga sot quhet tuneli i Palloshit, ka meritë të madhe.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












