Kreu i SPAK, Altin Dumani në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot një seancë plenare të posaçme, ku do të paraqiten raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë dhe atyre të pavarura.
Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i cili do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve lidhur me punën dhe rezultatet e institucionit që drejton. Kjo pritet të jetë gjithashtu përballja e parë në sallën e Kuvendit mes Dumanit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Partia Demokratike ka bërë të ditur se deputetët e saj do t’i drejtojnë vetë pyetjet përfaqësuesve të institucioneve, duke iu referuar rregullores së Kuvendit. PD ka kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të seancës së kaluar, kur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk lejoi leximin e pyetjeve në sallë.
Gjatë seancës së sotme do të raportojnë gjithashtu Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe votimi për ngritjen e komisioneve të reformës territoriale dhe asaj zgjedhore, për të cilat është arritur një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, duke garantuar përfaqësim të barabartë të anëtarëve në përbërje. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












