Balluku nuk u paraqit në SPAK, shkoi në Bullgari. Por zyrtarë të tjerë ishin tek hetuesit

Shares

Belinda Balluku

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ishte thirrur për t’u njohur zyrtarisht me akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”.

Sipas burimeve pranë SPAK, avokati mbrojtës i Ballukut ka njoftuar prokurorin e çështjes se klientja e tij nuk mund të ishte e pranishme për shkak të një angazhimi zyrtar jashtë vendit, pasi ndodhet në Bullgari për të marrë pjesë në një forum ekonomik.

Megjithatë, emri i Belinda Ballukut është tashmë i regjistruar si person nën hetim, ndërsa pritet që ajo të paraqitet në një moment të dytë për të kryer procedurën zyrtare, theksojnë burime anonime por të besueshme nga SPAK, cituar nga media në Tiranë.

Në të njëjtën ditë, disa zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës janë paraqitur në SPAK dhe janë njohur me akuzën përkatëse në lidhje me të njëjtën çështje, rapoetoi sot syri.tv përmes gazetarit Elton Qyno.

Balluku dyshohet për shkelje të barazisë në tendera në kuadër të kontratës me vlerë 2 milionë euro, të fituar nga kompania “Net Group” e Valter Begajt dhe ajo holandeze “Hill International N.V.”, të cilat kishin marrë përsipër mbikëqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë.

Ndërkohë, opozita ka reaguar qysh dje ndaj mungesës së saj të mundshme në seancën e sotme në SPAK. Deputeti Gazment Bardhi në një postim në Facebook tha se Balluku po përpiqet të shmangë interesin publik dhe mediatik, duke shtyrë me qëllim përballjen me drejtësinë. Ai ironizoi udhëtimin e saj jashtë vendit, duke e quajtur një “arratisje të përkohshme”, ndërsa shtoi se “stacioni i fundit i saj do të jetë burgu i grave në Pojskë”. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...