Politologu dhe shkrimtari Ermal Hasimja është nderuar me çmimin prestigjioz “At’ Gjergj Fishta” për prozën më të mirë, falë romanit të tij “E shkuar e pakryer” – një rrëfim i ndjerë mbi historinë e vërtetë të gjyshërve të autorit, të ndarë nga regjimi komunist mes Gjakovës dhe Tiranës.
Ceremonia e ndarjes së Konkursit Letrar Mbarëkombëtar “At’ Gjergj Fishta”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të letërsisë shqipe bashkëkohore, u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, ku u shpallën fituesit në disa kategori.
Në motivacionin e jurisë, romani i Hasimjes u vlerësua për vlerat e larta artistike, tematike dhe gjuhësore, si dhe për mënyrën e ndjeshme me të cilën autori trajton kujtesën historike dhe plagët e së shkuarës.
“Autori arrin të bashkojë tema universale si diktatura dhe robëria, përballjen e individit me dhunën politike e varfërinë, duke përcjellë mesazhe të thella mbi mënyrën se si duhet të përballemi me të kaluarën për të ndërtuar një të ardhme më të shëndoshë,” – thuhet në arsyetimin e jurisë. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












