Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar këtë projekt si një nga aferat më të rënda korruptive të qeverisë Rama. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se aeroporti i Vlorës falimentoi përpara se të fillonte funksionimin, duke e përshkruar si një ngrehinë të ndërtuar mbi korrupsion të tmerrshëm.
Sipas tij, ajo që në dukje duket si një konflikt mes dy ortakëve – Bexhet Pacollit dhe partnerit të tij – është në fakt një përballje mes shtetit dhe aksionerëve privatë.
“Kjo aferë shpërtheu pas takimit të Pacollit me Ramën në zyrën e Kryeministrit. Nuk kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje biznesi, por me implikimin direkt të qeverisë në një projekt që është kthyer në skemë grabitjeje të taksapaguesve shqiptarë”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se dora e zezë që ka stisur këtë aferë është vetë shteti dhe qeveria, duke shtuar se pas gjithë kësaj qëndron një rrjet interesash të lidhura drejtpërdrejt me Edi Ramën dhe ministren Belinda Balluku.
“Kjo nuk është më një çështje tregu. Është një aferë e qeverisë që ka përdorur pushtetin për të mbrojtur aferat e veta”, tha ai.
Berisha kujtoi se afera ka nisur që në vitin 2017, kur u hap tenderi për ndërtimin e aeroportit. Sipas tij, katër kompani të mëdha turke kishin marrë pjesë në garë, por kërkuan garanci financiare prej 120 milionë eurosh nga qeveria, pasi projekti konsiderohej me risk të lartë dhe me mungesë të leverdisë ekonomike.
“Në atë kohë, ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri refuzuan ta firmosnin kontratën, pasi kompania kërkonte pagesë edhe sikur asnjë avion të mos fluturonte”, sqaroi Berisha.
Por më pas, shtoi ai, Belinda Balluku e firmosi atë që Ahmetaj dhe Gjiknuri e refuzuan, duke i dhënë kompanisë koncesionare 135 deri në 140 milionë euro garanci nga buxheti i shtetit.
“Një marrëzi e tillë nuk ndodh askund. Aeroporti ndërtohet me faza, si në Rinas, por këta vendosën që në Vlorë të ndërtonin ‘më të madhin në Ballkan’, vetëm që të rrisnin vlerën e vjedhjes”, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha e quajti këtë projekt një krim financiar ndaj shqiptarëve, duke shtuar se modeli i ndjekur është identik me atë të inceneratorëve.
“Në Tiranë nuk hodhën asnjë tullë, por vodhën miliona; në Vlorë kanë premtuar 140 milionë euro edhe sikur asnjë avion të mos ulet në pistë.”
Në vijim, Berisha publikoi edhe një dokument që, sipas tij, provon përfshirjen direkte të ministres Balluku në transferimin e aksioneve të kompanisë ndërtuese.
“Një vit pas firmosjes së kontratës, Balluku firmosi kalimin e aksioneve nga kompania turke – e vetmja me eksperiencë në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve – te kompania e Bexhet Pacollit, ‘Mabco Construction’. Në momentin që u nënshkrua ky akt, tenderi u bë i pavlefshëm”, shpjegoi Berisha.
Sipas tij, fakti që u lejua kalimi i aksioneve tek një kompani pa eksperiencë con në hamendje se pjesë e aksioneve janë në pronësi të Ramës dhe Ballukut.
“Çdo shqiptar mund të dyshojë se këto aksione janë të tyre. Përndryshe, pse gjithë ky angazhim i qeverisë për të mbrojtur një projekt që nuk ka lidhje me shtetin?”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha publikoi gjithashtu detaje për një padi të depozituar në SPAK nga një kompani e huaj, e cila, sipas tij, është përjashtuar nga tenderi në mënyrë të paligjshme.
“Katër ditë para mbylljes së garës, Edi Rama dhe Balluku ndryshuan termat e tenderit, në mënyrë që të përjashtohej kjo kompani e huaj dhe të fitonte grupi që ata kishin zgjedhur paraprakisht”, akuzoi Berisha.
Ai e cilësoi këtë si një veprim tipik të qeverisë Rama për të favorizuar bizneset e lidhura politikisht.
“Kompania e huaj, me dokumente të rregullta dhe standarde të larta, është përjashtuar në mënyrë flagrante. Sot ajo ka paraqitur padi në SPAK, e cila është lënë në sirtar si dhjetëra dosje të tjera që prekin njerëzit e pushtetit”, shtoi ai.
Berisha sulmoi edhe prokurorin Altin Troplini, duke e quajtur “një mercenar të drejtësisë që shërben për të mbuluar aferat e qeverisë”. Ai kujtoi rastin e inceneratorëve dhe arrestimin e Arben Ahmetajt, për të cilin tha se u ndëshkua pse mbrojti interesin publik dhe refuzoi të firmoste kontrata korruptive.
Në përfundim të deklaratave, Berisha theksoi se afera e aeroportit të Vlorës është një provë e qartë e kapjes totale të shtetit nga një grup i strukturuar korruptiv.
“Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla dhe klientët e tyre kanë ngritur një sistem që grabit shqiptarët përmes koncesioneve dhe tenderëve të manipuluar. Kjo është përballja mes shtetit dhe qytetarëve – një përballje që PD do ta çojë deri në fund”, përfundoi ai. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












