Florjan Binaj mbledh kordinatorët, gati për startin e garës për Tiranën

Shares

Florjan Binaj pas takimit

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, i mbështetur nga forcat opozitare, zhvilloi këtë të martë takimin e parë me koordinatorët e partive që i janë bashkuar nismës së tij.

Në një prononcim pas takimit, Binaj e cilësoi mbledhjen si të frytshme, duke theksuar se bashkëpunimi me grupet opozitare do të vijojë në ditët në vijim, ndërsa programi për kryeqytetin po hartohet nga një ekip i pavarur profesionistësh.

“Sot zhvilluam takimin me përfaqësuesit dhe koordinatorët e opozitës. Ishte një takim shumë i frytshëm për t’u koordinuar me njëri-tjetrin. Ne jemi të gjithë bashkë dhe, si kandidat i pavarur me mbështetjen e partive opozitare, u bëj thirrje qytetarëve të na bashkohen pa dallim partie, sepse kjo është një çështje që i përket të gjithëve. Po punojmë me një ekip jopartiak dhe së shpejti do të paraqesim programin tonë për qytetin”, deklaroi Binaj.

I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur kontakte me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Binaj u shpreh se deri tani nuk ka komunikuar me të.

“Nuk kam folur me zotin Berisha dhe e kam bërë të qartë që gjatë fushatës do të jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por jam i gatshëm të takoj çdo drejtues të partive opozitare”, tha ai.

Binaj shtoi se mbështetja e gjerë opozitare është tregues i frymës së bashkimit që po krijohet:

“Ky bashkim që po ndodh tani është një sinjal i fortë për atë që pritet të ndodhë. Jam kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës, dhe nëse kjo mbështetje shihet si varësi, atëherë jam i varur nga të gjitha – nga Partia e Lirisë, nga Nisma Thurje, nga Shqipëria Bëhet dhe çdo forcë që beson në ndryshim”, u shpreh ai. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...