E paprecedentë, avokatët 1 javë bojkot në gjithë gjykatat e vendit

Shares

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpall bojkot kombëtar për një javë pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami në Elbasan pas një debati me prokurorin në sallën e gjyqit.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ka marrë një vendim të jashtëzakonshëm për bojkot të përgjithshëm të të gjitha proceseve penale në vend, në shenjë proteste ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami. Vendimi u mor unanimisht nga Komiteti, pas shqyrtimit të ngjarjes dhe pas kontaktit të drejtpërdrejtë me kolegun e arrestuar.

Sipas vendimit zyrtar, bojkoti do të zhvillohet nga data 20 tetor deri më 25 tetor, duke përfshirë të gjitha proceset penale në hetim dhe në gjykim, në të gjitha shkallët, madje edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Përjashtim nga bojkoti do të bëjnë vetëm rastet që lidhen me caktimin, ndryshimin, zëvendësimin ose shuarjen e masave të sigurimit personal.

Dhoma e Avokatisë thekson se mungesa e avokatëve në këto data përbën arsye objektive për shtyrjen e proceseve gjyqësore, ndërsa paralajmëron masa të ashpra disiplinore ndaj çdo avokati që nuk respekton vendimin.

Në dokument thuhet se moszbatimi i bojkotit përbën shkelje të rëndë disiplinore dhe mund të çojë deri në pezullim apo heqje të licencës së ushtrimit të profesionit.

Komiteti Drejtues i Dhomës i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë – Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë – të ndërhyjnë urgjentisht dhe me përgjegjësi për shqyrtimin e rastit të avokatit Barjami dhe rrethanave që çuan në arrestimin e tij.

Në vendim përcaktohet gjithashtu që: Një kopje e vendimit të depozitohet pranë të gjitha gjykatave të vendit; Një kopje tjetër të dorëzohet pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, KLGJ-së dhe KLP-së; Të gjitha Dhomat Vendore të Avokatisë ngarkohen për zbatimin e bojkotit në territorin përkatës.

Për pasojë, Dhoma e Avokatisë ka njoftuar edhe shtyrjen e tryezës së rrumbullakët të planifikuar me Ministrinë e Drejtësisë më 20 tetor, e cila do të kishte si temë diskutimin e Projekt Kodit Penal të ri.

Sipas njoftimit, incidenti ka ndodhur më 17 tetor 2025, gjatë një seance në Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, e drejtuar nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku prokuror ishte Gjergji Ceka.

Avokati Barjami, duke kundërshtuar një provë video që sipas tij përgënjeshtronte akuzat ndaj klientit, deklaroi se do të kallëzonte prokurorin për falsifikim të procesverbalit.

Në reagim, prokurori Ceka sipas Dhomës së Avokatisë i është drejtuar avokatit me fjalët: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...