7 shkeljet kushtetuese te Presidentit te Republikes, Bajram Begaj

Shares

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi renditi sot 7 shkeljet kushtetuese te Presidentit te Shqiperise, Bajram Begaj vetem pak ore pasi  Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar ne Kuvend kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh.

Shkelja nr. 1 – Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë

Në kundërshtim me nenet 4, 7, 13, 86, 92/gj, 94, 115, 124 dhe 131 të Kushtetutës dekretoi zgjedhje të pjesëshme vendore në Bashkinë Tiranë, pa u krijuar nga pikëpamja kushtetuese vakanca, duke ndërhyrë në mënyrë brutale në autonominë e pushtetit vendor, të drejtat themelore të njëriut, kompetencat e organeve të tjera kushtetuese dhe duke tentuar të zhvesh Gjykatën Kuhtetutese nga kompetenca që i njeh shprehimisht Kushtetuta.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

Ka ushtruar një kompetencë kushtetuese që nuk kishte lindur ende dhe që kishte pengesë kushtetuese për ta ushtruar në atë moment;

Ka synuar të ngushtojë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e saj në rastet e shkarkimit të një të zgjedhuri vendor;

Ka futur në ngërc kushtetues zgjedhjet e pjesëshme për Bashkinë e Tiranës, si dhe ka minuar legjitimitetin e tyre duke shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit;

Ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor, duke përcktuar juridiksionin për të kundërshtuar një vendim të Këshillit të Ministrave;

Ka shfaqur mungesë paanësie, integriteti dhe pavarësie, duke u nënhtrur ndaj autoritetit të Kryeministrit dhe duke lejuar përqëndrimin e të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, gjë që cenon rendin kushtetues për shkak të prishjes së ekulibrit të “kontrollit dhe balancave mes pushteteve”;

Ka cenuar garancitë kushtetuese të një funksionari kushtetues që gëzon si i zgjedhur vendor;

Ka ndërhyrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore;

Ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese për të caktuar juridiksionin e shqyrtimit të pajtueshmërisë së VKM me Kushtetutën.

Shkelja nr. 2 – Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues

Në kundërshtim me nenet 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen antikushtetuese të mandatëve të anëtarëve të kësaj Gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre, si forma kyce e cenimit të pavarësisë së gjyqtarit kushtetues.

Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

Ka ushtruar parakohe kompetencën e tij, pa i lindur ende e drejta;

Ka ndërhyrë në mënyrë të dhunëshme dhe brutale në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese;

Ka investuar Gjykatën Kushtetuese në tejkalim të kompetencave të tij, duke i uzurpuar përgjegjësinë/kompetencën ekskluzive Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;

Ka vënë në pikëpyetje kohëzgjatjen e të gjitha mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar në mënyrë brutale pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe duke krijuar gjendje pasigurie të qëndrimit në detyrë për të gjithë trupën e anëtarëve të Gjykatës;

Ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shprehet për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që janë emërtesë e Kuvendit.

Shkelja nr. 3 – Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore

Në kundërshtim me nenet 77, 86 dhe 132 të Kushtetutës, duke injoruar të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës për kontroll parlamentar, dhe duke injoruar fuqinë detyruese të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se u informua paraprakisht dhe ishte në dijeni të një krize të thellë në Kuvendin e Shqipërisë, dekretoi shpalljen e një ligji antikushtetues që ndryshonte ligjin ekzistues të Komisioneve Hetimore, duke mos përmbushur rolin e tij si përfaqësues i unitetin kombëtar dhe për të moderuar konfliktin politik në vend.

Presidenti Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kuhtetutës, për shkak se:

Ka cënuar neutralitetin politik dhe paanësinë gjatë ushtrimit të funksionit të tij;

Ka ndërmarrë veprime aktive për të ngushtuar kompetencat kushtetuese të opozitës në ushtrimin e përgjegjësisë së saj për kontroll parlamentar efektiv;

Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;

Nuk ka përmbushur rolin dhe përgjegjësinë e tij kushtetuese si faktor ekulibrues dhe moderator i konflikteve politike.

Shkelja nr. 4 – Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”

Në kundërshtim me nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës, ka dekretuar emërimin e Kryeministrit, njëkohësisht duke përcaktuar edhe ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella, duke i shërbyer në këtë mënyrë në kundërshtim me rolin dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese qëllimeve propagandistike të Kryeministrit Edi Rama dhe duke rrënuar seriozitetin e institucioneve kushtetuese publike.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se Dekretet e tij:

(i) Cënojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore (ministrin virtual të inteligjencës artificiale), dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja (për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual);

(ii) Cënojnë organin kushtetues të ministrit, pasi Presidenti krijon një “ministër virtual”, i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit si ministër, procedurat e emërimit dhe betimit të tij, si dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive;

(iii) Shkelin në mënyrë flagrante nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhen me kompetencat e Presidentit të Republikës, kompetencat e Kryeministrit/Këshillit të Ministrave, cilësitë e ministrit, procedurën e emërimit dhe betimit të tij, ushtrimin e kompetencave ministrore.

Shkelja nr. 5 – Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale

Në kundërshtim me nenin 1, 86 dhe 92 të Kushtetutës, përmes mosveprimit të tij, lejojë përfshirjen e paligjshme të Trupit Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në aktivitete politike/zgjedhore të partisë në pushtet, duke mundësuar pabarazinë e garës në zgjedhjet e 11 Majit dhe duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në zgjedhje.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

Ka cënuar barazinë e palëve në zgjedhje, duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet;

Nuk ka ushtruar kompetencat me natyrë vendimmarrëse në fushën e politikës së jashtme, duke cenuar/dëmtuar zgjedhjet e lira e të barabarta apo rolin e tij kushtetuese si faktor ekulibrues dhe garant i respektimit të ligjshmërisë nga ana e autoriteteve publike;

Ka dështuar të ruante rolin e tij neutral dhe mbi palët, si dhe të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve.

Shkelja nr. 6 – Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor

Në kundërshtim me nenet 1, 67, 86, 92 dhe 94 të Kushtetutës ka lejuar angazhimin e Kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme, duke injoruar përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe duke  konsumuar një ndërhyrje flagrante antikushtetuese të Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje. Kjo ka përforcuar perceptimin e shkrirjes së shtetit dhe partisë në zgjedhje, si dhe ka rrënuar neutralitetin politik që duhet të gëzojë Institucioni i Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

Ka cënuar barazinë e palëve në zgjedhje, duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet;

Ka dështuar të ruante rolin e tij neutral dhe mbi palët, si dhe të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve.

Shkelja nr. 7 – Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës

Në kundërshtim me nenet 11, 86, 88 dhe 89 të Kushtetutës ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi, që cenon konkurencën e lirë në treg, duke i dhënë përfitimin e të gjitha pokurimeve publike të Institucionit të Presidentit në fushën përkatëse kompanisë private ku është punësuar djali i tij pas emërimit të z. Bajram Begaj si President i Republikës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

Ka vijuar të ushtrojë detyra publike në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe veprimtari private në Spitalin Acibadem në kundërshtim me detyrimin e tij kushtetues për të hequr dorë nga çdo lloj detyre publike apo veprimtarie private, duke u fokusuar plotësisht në detyrën më të lartë shtetërore, atë të Presidentit të Republikës;

Ka cënuar parimin e konkurrencës së lirë, në drejtim të barazisë së pjesëmarrësve në kontrata publike, duke i akorduar kompanisë private, ku rezulton i punësuar i biri, të gjitha prokurimet publike në fushën e sigurimeve në kushtet e konfliktit faktik të interesit;

Ka cënuar rëndë besimin e publikut të figura e Presidentit të Republikës, për shkak se gjenerimi i të ardhurave nga detyra të tjera publike dhe veprimtari private nga vetë Bajram Begaj, si dhe gjenerimi i të ardhurave nga i biri (person i lidhur) nga një kompani private në marrëdhënie kontraktuale me Institucionin e Presidentit të Republikës, krijojnë perceptimin tek qytetarët e përdorimit të funksionit publik për përfitime personale.

Për këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjit, e paprecedentë për një President Republikës, kam autorizuar ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që të përgatisë kallëzim penal, i cili do të dorëzohet brenda kësaj jave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se jemi në kushtet e konsumimit të të paktën dy veprave penale, në bashkëpunim, përkatësisht “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publik” dhe

“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, të parashikuara nga nenet 25, 258 dhe 260 të Kodit Penal.

Konkluzione:

Të gjitha shkeljet që listohen në këtë kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës, pasi nga aktet bashkëlidhur dhe analizuar në këtë kërkesë vërtetohet se:

për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës, Presidenti nuk ka pasur ndonjë qëllim legjitim, përveç vullnetit të tij për t’iu nënshtruar partisë në pushtet dhe Kryeministrit Edi Rama;

me këto shkelje Presidenti ka cenuar të drejtat e njeriut, marrëdhëniet shoqërore, politike sensitive dhe të rëndësishme që mbrohen nga Kushtetuta, dhe legjislacioni shqiptar në fuqi;

Presidenti ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente; shkeljet kushtetuese të konsumuara nga Presidenti kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit, në cënimin e rendit kushtetues, në prishjen e balancës mes pushteteve dhe në sferën sociale apo politike të vendit; sjellja e Presidentit ndaj shkeljeve kushtetuese është në kundërshtim të hapur me përgjegjshmërinë, vetëpërmbajtjen, seriozitetin, maturinë dhe korrektësinë e qëndrimeve/akteve, që duhet të shfaqë një përfaqësues i lartë i shtetit, që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të cilit Kushtetuta i ka veshur atributet e përfaqësuesit të unitetit të popullit.

Aktet e Presidentit në shkelje të parimit të shtetit të së drejtës, mosrespektimi prej tij i të drejtave dhe lirive të njeriut, veprimet në kundërshtim me rendin kushtetues, shkeljet e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenimi i pavarësisë funksionale të organeve të pavarura dhe atyre shtetërore, mungesa e respektimit të rendit juridik, qëndrimet e njëanshme apo të paekuilibruara, humbja e rolit neutral të tij si kreu i shtetit, që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por që duhet të qëndrojë mbi palët dhe të sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve, veçanërisht në proceset zgjedhore, janë të gjitha veprime që ia kanë delegjitimuar Presidentit të Republikës atributet e kreut të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 75/2002, aktet dhe sjelljet, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e zyrtarit kushtetues, e bëjnë të pamundur kryerjen e mëtejshme të funksioneve kushtetuese. Cilësia si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar janë dy rolet më thelbësore që Kushtetuta i ka veshur Presidentit dhe humbja e këtyre roleve për të gjitha shkaqet që arsyetohen në këtë kërkesë nuk mund të lejojë vazhdimin e Presidentit Bajram Begaj në këtë detyrë.

Referuar edhe interpretimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr 75/2002, sipas të cilit: “Këto shkelje marrin karakterin e rëndë të tyre lidhur ngushtë me rëndësinë e ligjit të shkelur, me pasojat e ardhura, apo që mund të vinin nga shkelja, me frekuencën e shkeljes, kohëvazhdimin e pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre, si dhe me qëndrimin subjektiv që mban autori i shkeljes kundrejt saj dhe pasojës së ardhur”, nxirret konkluzioni se shkeljet e kryera nga Presidenti i Republikës, që fillojnë dhe përfundojnë te shkelja e betimit që ka bërë me dorën mbi Kushtetutë, janë të rënda, për arsye të cenimit, në radhë të parë, të pozicionit të Presidentit të Republikës, si pushtet neutral, përfaqësues i unitetit kombëtar, Kryetar i Shtetit dhe zgjidhës i krizave të sistemit, shkeljeve që lidhen me integritetin dhe barazinë e palëve në proceset zgjedhor, të shkeljeve që lidhen me pavarësinë e organeve të shtetit dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe në respektim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetit.

Të nderuar qytetarë,

Kushdo që mendon që kjo iniciativë është pjesë e betejës politike me kundërshtarin politik, e ka gabim. E ka gabim sepse Presidenti i Republikës nuk është kundërshtari ynë politik. Ose e thënë më mirë, Presidenti i Republikës nuk duhet të ishte kundërshtari ynë politik. Ne nuk kemi betejë politike apo garë elektorale me Presidentin e Republikës. Por, sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Bajram Begaj nga data 24 korrik 2022, kur është betuar solemnisht se do t’i qëndrojë besnik Kushtetutës dhe ligjit, në fakt kanë dëshmuar se e vetmja besnikëri e tij ka qenë ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, duke bërë kështu që Presidenti të humbasë funksionin e tij si pushtet neutral që nuk hyn në lojën politike, por që qëndron mbi palët, përfaqësues i unitetit kombëtar dhe simbol i tij, kryetar i shtetit dhe zgjidhës i krizave të sistemit, garant i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.

Kërkesa jonë i shërben më së pari interesit publik, pasi synojmë të kthejmë institucionin e Presidentit të Republikës në binarët e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në funksionin e tij si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Por, kjo kërkesë i shërben edhe vetë zotit Bajram Begaj, pasi i jep mundësinë të zhvishet nga barra e rëndë e detyrës më të lartë shtetërore, asaj të Presidentit të Republikës, dhe të marrë teserën e Partisë Socialiste për të vijuar angazhimin e tij politik me ndërgjegje dhe në liri të plotë. Bajram Begaj, ashtu si edhe kushdo tjetër, duhet të kuptojë që posti i Presidentit të Republikës nuk mund të shndërrohet kurrë në një post ministror, vartës të Kryeministrit, Qeverisë apo partisë në pushtet. Përkundrazi. Presidenti i Republikës është garancia kushtetuese që i tregon Parlamentit, Qeverisë, Kryeministrit, Partive Politike vijën e kuqe të paprekshmërisë së parimeve të Kushtetutës, shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...