Policia speciale shoqeron Avdylajn ne makinen e policise
Policia e Shtetit ka bërë publike pamjet e operacionit të zhvilluar nga Forcat Speciale “RENEA” për kapjen e Aldo (Elidon) Avdylajt, 37 vjeç, i shpallur në kërkim kombëtar për vrasjen e Edmir Bregut, ngjarje e ndodhur në rrethana të dyshuara hakmarrjeje.
Operacioni, i koduar “Ghosts”, u organizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Forcat Speciale “RENEA”.
Pas një hetimi të gjatë dhe ndjekjeje të vazhdueshme, policia arriti të lokalizojë vendstrehimin e 37-vjeçarit në afërsi të Liqenit të Thatë, ku u ndërmor ndërhyrja e koordinuar.
Pamjet e publikuara tregojnë momentet e rrethimit të banesës dhe arrestimit të Avdylajt, i cili, sipas burimeve policore, nuk bëri rezistencë gjatë operacionit. Gjatë kontrollit në ambientet ku fshihej, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, e cila dyshohet se është përdorur në veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, Avdylaj, banues në Shijak, është akuzuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për disa vepra të rënda penale, mes të cilave “Vrasja me paramendim”, kryer për motive hakmarrjeje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Hetimet kanë zbuluar se ai dyshohet të jetë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operonte në zonën e Durrësit dhe Tiranës.
Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për veprime të mëtejshme hetimore dhe për verifikimin e lidhjeve të mundshme të 37-vjeçarit me ngjarje të tjera kriminale.a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













