Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi në “Ditari i Pasdites” me gazetarin Pandi Gjata, se zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës pritet të zhvillohen në mesin e dhjetorit, rreth periudhës së Krishtlindjeve.
“Ne po përgatitemi sikur zgjedhjet të jenë nesër. Sa më shpejt të caktohet data, aq më mirë për qytetarët. Do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas dekretin e Presidentit, por sipas llogarive, mesi i dhjetorit duket si data më e mundshme për garën në Tiranë”, u shpreh Klosi.
Deklarata e tij vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj që i hapte rrugën zgjedhjeve në kryeqytet. Megjithatë, sipas Klosit, Partia Socialiste po vijon përgatitjet dhe punën në terren për të qenë gati sapo të përcaktohet data përfundimtare.
“Për ne nuk ka rëndësi kur është data, rëndësi ka që Tiranën ta gjejë viti i ri me një kryetar të ri bashkie. Qyteti ka nevojë për një drejtim të plotë dhe për të çuar përpara projektet transformuese. Ne po punojmë intensivisht në çdo njësi të Tiranës,” shtoi ai.
Klosi theksoi se për Partinë Socialiste është thelbësore që procesi të përmbyllet brenda këtij viti, në mënyrë që Bashkia e Tiranës të ketë sa më shpejt një drejtues legjitim dhe të nisë normalisht punën në fillim të vitit 2026. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












