Zbulohet në Fier një bazë kriminale në lagjen “Kastriot”, ku mbahej arsenal armësh, pjesë armësh dhe municioni, me qëllim shitjen te kontigjenti kriminal për kryerjen e krimeve kundër personit.
Sekuestrohen 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak pasi janë informuar nga gazetarë të emisionit investigativ “Piranjat”.
“Si rezultat i kësaj pune, u lokalizua shtetasi i dyshuar, konkretisht M. R., 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro.
Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale.
Nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar:
-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;
-1 armë zjarri pistoletë;
-1 armë zjarri pistoletë automatike;
-2 silenciatorë;
-9 karikatorë automatiku;
-3 karikator pushke;
-2 krehra pistolete;
-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm”, njoftoi policia e Fierit.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., dhe ndërkohë vijojnë të kryejnë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












