Redaksia e emisionit investigativ “Piranjat” ka reaguar pas incidentit të ndodhur të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke sqaruar arsyet e pranisë së ekipit të tyre. Në një postim në Instagram, ata bënë të ditur se gazetarët kishin shkuar për t’i drejtuar pyetje aksionerit të Air Albania, Sinan Idrizi, lidhur me mos-pagimin e rrogave dhe sigurimeve të dy sanitareve, të cilat i përshkruajnë si dy pastruese të thjeshta.
Gazetarët theksuan se dhuna ndaj tyre ndodhi vetëm për shkak të kryerjes së detyrës profesionale, duke mbrojtur qytetarë të pambrojtur nga shteti. Ata kundërshtuan pretendimet e Idrizit për një “sulm nga një grup i kamufluar me armë të sofistikuara”, duke sqaruar se pyetjet ishin të qeta dhe profesionale, ndërsa videoja e publikuar prej tij ishte e manipuluar.
Në reagimin e tyre, “Piranjat” kanë denoncuar gjithashtu sjelljen agresive dhe fjalorin ofendues të Refik Halilit dhe Mired Reçit, të dokumentuar për publikun, por që sipas tyre, nuk kanë sjellë asnjë reagim nga Policia e Shtetit.
Redaksia deklaroi se pavarësisht presioneve dhe dhunës, emisioni do të vijojë misionin investigativ për të ekspozuar shkeljet dhe abuzimet në Shqipëri. Ata bënë thirrje për reagim nga organizatat ndërkombëtare të medias dhe përfaqësitë diplomatike, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shtypit. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












