Qeveria miraton koston mesatare të ndërtimit në vend

Shares

Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e fubdit të tij para krijimit të qeverisë së re ndërsa miratoi një sërë aktesh dhe vendimesh.

Qeveria miratoi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Ky projektligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore, duke mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.

Projektligji përcakton rregullat për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, duke u fokusuar në:
• parandalimin ose reduktimin e mbetjeve;
• minimizimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe trajtimi i tyre;
• rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.

Nga fusha e zbatimit të këtij ligji përjashtohen disa kategori të posaçme, si shkarkimet në atmosferë, tokat e paprekura, dherat e pastra të përdorura për ndërtim, mbetjet radioaktive, anijet e dala jashtë përdorimit, mbetjet nga aktivitetet minerare, ujërat e përdorura dhe nënproduktet shtazore të caktuara.

Ky projektligj është i përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi mbetjet”, duke siguruar harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian.

Në këtë mbledhje qeveria miratoi edhe udhëzimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2025.

Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave përcaktohet në nivel kombëtar prej 56 491 lekë/m² sipërfaqe shfrytëzimi. Vlerat specifike sipas qyteteve pasqyrohen në tabelën përkatëse, ndërsa për qytetet që nuk kanë të dhëna të veçanta, do të përdoren vlerat e qytetit më të afërt.

Në rast ndryshimesh të çmimeve të zërave të ndërtimit, kostoja e gjeneruar nga manuali i integruar i çmimeve përmes portalit qeveritar “e-Albania” prevalon mbi koston e përcaktuar në këtë udhëzim.

Po sot Rama ka liruar nga detyra Kastriot Gurrën, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin i cili do të marrë një detyrë tjetër. Ermal Shena emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin. m.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...