Zbulohet varr monumental romak në Bulqizë, i pari i këtij lloj në vend

Shares

Vendi ku u zbulua varri romak

Zbulohet një varr monumental i periudhes romake i pari i llojit të tij në Shqipëri.

Zbulimi u krye në fshatin Strikcan të Bulqizës gjatë punimeve arkeologjike të kryera në kuadër të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, drejtuar nga Akad.Adem Bunguri dhe Msc.Erikson Nikolli ka dalë në dritë një varr monumental unikal, me dimensione të mëdha rreth 9 m x 6 m dhe dhoma funerare 2.40 m e lartë.

Ky monument përvec arkitekturës të vecantë përmbante dhe të dhëna të rëndësishme arkeologjike dhe epigrafike, ku për herë të parë zbulohet një mbishkrim romak në zonën e Dibrës, bilingual, i cili I kushtohet individit të varrosur në këtë varr, i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim drejtuar perëndisë më të rëndësishme romake Jupiterit.

“Varri edhe pse i grabitur që në periudhën e lashtësisë por dhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit I cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur. Varri është ideuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale. Muret e shkallares kanë qenë të dekoruara me motive gjeometrike në stuko të cilat ruhen ende. Përvec pjesës nëntokësore funerare , arkeologët kanë evdientuar struktura muresh në pjesën e sipërme të varrit, të cilat sugjerojnë që ky monument mund të ketë qenë i tipit mausoleum. Zbulimet nuk ndalen këtu, por në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar i cili pritet te analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij”, thuhet në nkë njoftim të Institutit të Arkeologjisë.

Materiali ndërtimor kryesisht përbëhet nga gurë të përmasave të mëdha të punuara në trajtë kornizash të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë. Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s. Pritet që zbulimet e mëtejshme të nxjerrin të dhëna të reja të cilat do të pasurojnë hartën arkeologjike të prapaktokës së territorit tonë.r.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...