Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për ngritjen e akuzave penale kundër miliarderit George Soros dhe djalit të tij, duke i akuzuar ata se financojnë dhe nxisin protestat e dhunshme në të gjithë vendin, raporton CNN.
Në një postim të publikuar në platformën Truth Social, Trump shkroi:
“George Soros dhe djali i tij, simbol i së majtës radikale, duhet të akuzohen sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme dhe për shumë më tepër. Ne nuk do t’i lejojmë më këta të çmendur të shkatërrojnë Amerikën. Soros dhe grupi i tij i psikopatëve i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit tonë, përfshirë edhe miqtë e tij të çmendur të Bregut Perëndimor. Kini kujdes, po ju vëzhgojmë!”.
Ligji RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act) është një akt federal i miratuar për të luftuar krimin e organizuar, duke u dhënë mundësi prokurorëve të ndjekin penalisht individë apo grupe të përfshirë në aktivitete kriminale të përsëritura.
Tensionet mes Trump dhe Soros kanë qenë të larta prej kohësh. Trump e akuzon shpesh filantropin hungarezo-amerikan për ndikim mbi prokurorët dhe mbështetje të protestave kundër politikave të tij. Nga ana tjetër, Soros dhe fondacionet e tij kanë mohuar vazhdimisht akuzat, duke theksuar se aktiviteti i tyre përqendrohet tek mbrojtja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Ky është vetëm sulmi më i fundit ndaj Sorosit nga radhët e konservatorëve amerikanë, të cilët prej vitesh e akuzojnë për financim të fshehtë të lëvizjeve liberale dhe betejave ligjore. Paralelisht, Trump po shtyn përpara një plan të ri politik: një urdhër ekzekutiv që synon të ndalojë organizatat jofitimprurëse amerikane të dërgojnë fonde jashtë vendit. Ky hap pritet të godasë drejtpërdrejt Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit, të cilat financojnë projekte në mbarë botën.
Shtëpia e Bardhë deklaron se ky propozim është pjesë e një nisme më të gjerë për të kufizuar ndikimin e huaj në skenën politike dhe për të rritur kontrollin mbi aktivitetet e organizatave jofitimprurëse. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












