a.Çfarë ka ndodhur
Portali javanews.al publikoi më 18 gusht tekstin e letrës (ose padisë) së “Nesti Angonit” për Erion Veliajn, të dorëzuar në SPAK.
Në këtë letër theksohen akuzat ndaj Veliajt, të cilat përqendrohen vetëm në faktin se ai ka tri vila në Qerret të Kavajës dhe ngre pyetjen se ku i gjeti kryetari i bashkisë së Tiranës paratë për t’i blerë, përfshirë edhe shtëpinë tek “Kodra e Diellit”.
Portali shkruan se në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës për zhvlerësimin e akteve hetimore, Erion Veliaj ka përfshirë të plotë tekstin që personi anonim “Nesti Angoni” i ka dërguar SPAK-ut, mbi bazën e të cilit janë nisur veprimet hetimore ndaj tij.
Portali shton gjithashtu se “ajo që bie menjëherë në sy është se teksti është një denoncim i shkruar dobët, i pastrukturuar, gati si nga një dorë injoranti, i mbështetur mbi thashetheme”.
Sipas javaneës.al, zyra e shtypit e SPAK ka mashtruar opinionin publik duke porositur gazetarët që përdor për dezinformim të deklarojnë se denoncimi është 92 faqe, ndërkohë që zëra nga qeveria e përforconin këtë, duke lënë të kuptohej se mund të ishte shkruar nga shërbime të huaja sekrete.
Javaneës formulon idenë se: “Fakti që SPAK ka regjistruar një procedim penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës mbi bazën e një dokumenti të pafirmosur ligjërisht, pa autor të identifikuar dhe me përmbajtje thashethemnore të këtij niveli, ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me motivimin politik të hetimeve dhe keqpërdorimin e strukturave të drejtësisë speciale. Këto dyshime shtohen edhe më shumë nga përpjekjet e SPAK për të krijuar një mit rreth ‘Nesti Angonit’ si një person që kishte dhënë informacione të vlefshme. Në vijim javaneës thekson se ky është një shembull shqetësues se si SPAK, në vend që të funksionojë mbi prova, ligj dhe autorësi, është kthyer në instrument të propagandës, ku thashethemet e rrugës legjitimohen si dosje hetimore. Kjo nuk është më drejtësi – është një farsë që vë në pikëpyetje të gjithë procesin e reformës në drejtësi”.
Letra e “Nesti Angonit” për SPAK është publikuar edhe nga disa media të tjera që nuk janë nën monitorim nga projekti.
b.Konteksti
Erion Veliaj, përmes mediave, po përpiqet të bëjë të besueshme pretendimet e tij se akuzat e ngritura nga SPAK nuk kanë bazë ligjore dhe se janë ndërtuar mbi një letër të një personi anonim, i cili nuk ka ofruar asnjë argument për hartimin e akuzës. Ai ndodhet në qeli për të paktën tre akuza që prej shkurtit 2025. Të gjitha ankimimet e tij në gjykatë, si për masën e sigurisë “arrest me burg”, ashtu edhe për akuzat, janë rrëzuar nga gjykatat e Posaçme përfshi dhe Gjykatën e Lartë.
Disa javë më parë ndaj Veliajt u shtua edhe një akuzë tjetër, e cila lidhet me përpjekjet e tij – sipas SPAK – për të manipuluar opinionin publik dhe mediat, si dhe për të shantazhuar prokurorët e çështjes përmes ndikimit në disa tituj të përditshëm të shtypit shqiptar.
c.Një kërkim më i thellë
Letra e “Nesti Angonit” është tashmë një fakt. Edhe anonimiteti i saj është një detaj i njohur dhe i pranuar si nga Veliaj, ashtu edhe nga SPAK. Kjo është hera e parë që publikohet letra e plotë, e cila mund të gjendet lehtë në fashikujt e akuzës së ngritur ndaj Veliajt dhe që gjendet gjithashtu në posedim të avokatëve të tij.
Mëshimi tek letra e Angonit si fakt i vetëm për akuzat synon të dobësojë pozicionin e SPAK në raport me çështjen, si dhe nxit idenë se Veliaj po diskriminohet nga drejtësia dhe se arrestimi i tij është politik. Mediat pranë tij nuk ngurrojnë ta lidhin shpesh edhe qeverinë me mekanizmin që çoi në burg kryetarin e bashkisë së Tiranës.
d.Fluksi i lajmit
Javaneës e ka publikuar lajmin në faqen e saj online dhe në rrjetet sociale. Portali ka 56 mijë ndjekës në Facebook dhe 900 në Instagram. Ndërkohë, Veliaj disponon një makineri të fortë për shpërndarjen ose censurimin e lajmeve përmes disa zyrave marketingu që janë biznes i të vëllait të tij, Arbër Veliaj, i cili është thirrur në SPAK si person në dijeni.
e.A është lajm
Publikimi i letrës së plotë të “Nesti Angonit” nga dosja hetimore, që ndodhet në duart e avokatëve të Veliajt, është lajm. Lidhja e tekstit me thelbin e akuzave ndaj Veliajt është një përqasje e zbehtë, pasi kjo letër ka shërbyer vetëm si një nga indiciet për hetim. Autori i shkrimit kufizon të dhëna të tjera që do ta relativizonin rëndësinë e kësaj letre si i vetmi fakt mbi të cilin mbështetet akuza. Ai nuk shton fakte të pavërteta, por përforcon argumentin e tij duke kufizuar informacionin, i cili, nëse do të përfshihej, do ta shpaloste arrestimin e Veliajt në një pamje tjetër.
Në fakt, në SPAK janë regjistruar disa akuza për Erion Veliajn nga persona të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë të politikës. Një pjesë lidhet drejtpërdrejt me akuzat që SPAK ka ngritur tashmë ndaj kryetarit të bashkisë. Letra e Angonit i referohet vetëm një aspekti të hetimit. Edhe nëse bien poshtë pretendimet e saj, kjo nuk i rrëzon akuzat e tjera tashmë të ngritura dhe në hetim nga SPAK, pikërisht sepse hetimi është i gjerë dhe është mbështetur që në nisje mbi fakte dhe dëshmi konkrete, të cilat e mbajnë Veliajn të përfshirë deri në procesin gjyqësor.
Shqyrtimi i mesiperm është zhvilluar me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e shqyrtimit te mesiperm është përgjegjësi e vetme e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA). Qendra per Transparence dhe Informim te Lire (qTIL)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












