Është caktuar vendi dhe data për takimin mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Takimi do të mbahet në Alaskë të premten e ardhshme për të diskutuar mbi të ardhmen e luftës në Ukrainë.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Ukraina.
Trump paralajmëroi shkëmbime territori pak para vendimit.
“Po flasim për territore që janë luftuar për tre vjet e gjysmë, shumë rusë kanë vdekur. Shumë ukrainas kanë vdekur,” tha Trump të premten në Shtëpinë e Bardhë.
“Është shumë e ndërlikuar. Do të marrim disa territore mbrapsht, disa do të shkëmbehen. Do të ketë një ndërrim territoresh, në të mirë të të dyja palëve”, tha Trump.
Ndërkaq Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të cilin ende nuk ka konfirmim për pjesëmarrje ka deklaruar se Ukraina nuk do t’i lëshojë tokë pushtuesit.
“Ne nuk do ta shpërblejmë Rusinë për atë që ka bërë. Populli ukrainas meriton paqe. Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës është tashmë në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do të devijojë nga kjo. Ukrainasit nuk do t’ia dhurojnë tokën e tyre pushtuesit. Ukraina është gati për vendime të vërteta që mund të sjellin paqe. Çdo vendim që është kundër nesh, çdo vendim që është pa Ukrainën, është në të njëjtën kohë vendim kundër paqes. Janë vendime të pazbatueshme”, ka deklaruar Zelensky. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












